E Diel, 1 Nëntor 2026

Drogë dhe euro false, policia ndalon 4 të rinj pas ndjekjes në autostradë



Artan CENA
FIER - Katër të rinj janë vënë në pranga pas një ndjekjeje prej 1 ore e 30 minutash nga policia dhe gjatë kontrollit u janë gjetur sasi lënde narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Fierit thanë se të rinjtë kanë tentuar të mbushin makinën me karburant duke përdorur euro të falsifikuara, por janë diktuar nga punonjësit e karburantit. Në këtë moment ata janë larguar me shpejtësi, por në ndjekje të tyre janë vënë patrullat e policisë. Pasi janë ndjekur disa kilometra, policia e Fierit ka njoftuar kolegët e rretheve se një makinë me katër të rinj u kishte ikur dhe duhej të ndalohej. Pikërisht në Durrës, një postbllok policie ka bllokuar makinën dhe ka ndaluar katër të rinjtë. Ata i janë nënshtruar kontrollit dhe veç parave që dyshohet se janë false, policia ka gjetur dhe drogë në makinën e tyre. Burime nga uniformat blu thanë se ka qenë pikërisht mbajtja e lëndës narkotike që i ka shtyrë të rinjtë të iknin me shpejtësi.
Të arrestuarit
Policia e Fierit bëri të ditur se arrestimet janë bërë në orët e paradites së djeshme. Në orën 11:00, nga Sektori Kundër Krimit Financiar është bërë arrestimi në flagrancë i katër shtetasve”, - tha policia. Në pranga kanë rënë: Ani Ibrahimi, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Erjon Braho, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Ledio Kambo, 23 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë dhe Drini Skuka, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, arrestimi i këtyre të rinjve është bërë pasi rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme, në një pikë furnizimi me karburant afër vendit të quajtur “Pushimi i shoferit”, në rrugën nacionale Fier-Lushnjë, ata, duke udhëtuar me automjetin tip “Benz” me targë TR 1282 N, kanë ndaluar dhe kanë tentuar të furnizojnë me karburant automjetin duke vënë në përdorim kartëmonedha euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.
Arratisja
Katër të rinjtë, pas konstatimit të punëtorit të kësaj pike karburanti, janë larguar me shpejtësi dhe rreth orës 24:00 duke hyrë dita e djeshme, janë ndaluar nga efektivët e Drejtorisë së Policisë të qarkut Durrës. Gjatë veprimeve hetimore dhe nga kontrolli i ushtruar në mjetin e tyre janë gjetur: 9 porcione të ndara në qese plastmasi, të cilat dyshohen si lëndë narkotike e llojit kokainë, gjithsej me peshë 3.6 gramë, një me peshë 0.95 gramë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa, 6 copë kartëmonedha euro të prerjes 50-shë, të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara. Pas arrestimit të tyre dosja me materialet procedurale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë për veprat penale të “falsifikimit të kartëmonedhave” dhe "mbajtje dhe prodhim të lëndëve narkotike”.

Vetëplagoset 64-vjeçari, ishte në gjendje të dehur
GJIROKASTËR - Gjuan tri herë në ajër dhe më pas vetëplagoset në nofull në gjendje të dehur. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në lagjen “Manalat” të Gjirokastrës. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se ka qenë një telefonatë në sallën operative, ku është thënë se në lagjen “Manalat” të qytetit Gjirokastër është plagosur me armë zjarri një person. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shuma të Policisë së Gjirokastrës, si dhe Shërbimet e Njësisë Rajonale të Sigurisë Rrugore, ku është bërë rrethimi i zonës dhe bllokimi i të gjitha hyrje-daljeve që të çojnë për në lagjen “Manalat”, me qëllim izolimin dhe kapjen e autorit të mundshëm, pasi nuk dihej se si kishte ndodhur ngjarja. Me mbërritjen e forcave të Policisë në vendngjarje ka rezultuar se, Besim Mamo, 64 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, në gjendje të dehur, ka marrë armën e zjarrit automatik tip “Kallashnikov”, të cilën e mbante pa leje në banesë dhe pasi ka gjuajtur 3 herë në ajër në tarracën e banesës, ka zbritur në oborrin e shtëpisë ku është vetëplagosur me një plumb në pjesën e poshtme të nofullës. Menjëherë forcat e policisë kanë bërë transportimin e tij për në Spitalin rajonal Gjirokastër, ku ka marrë ndihëm e parë mjekësore dhe i është nënshtruar një operacioni. Nga veprimet e kryera në vendngjarje nga grupi hetimor, por edhe nga deklarimet e bashkëshortes së tij dhe të disa banorëve komshinj të tij, rezultoi se ai është vetëplagosur si pasojë e konsumimit të tepërt të alkoolit. Nga policia në vendngjarje është sekuestruar arma dhe 4 gëzhoja, të gjitha në cilësinë e provës materiale. Nga informacionet e fundit të policisë, Besim Mamo ka dalë nga operacioni dhe është në gjendje të rëndë. Për këtë arsye ai është transportuar për në Spitalin Ushtarak, Tiranë, me qëllim që të marrë mjekim më të specializuar. Dosja me materialet do t’i kalojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”, si dhe të “vetëplagosjes me armë zjarri”.

Arrestohet i riu maqedonas, vidhte makinat në Tiranë
TIRANË - Një maqedonas është arrestuar për shumë vjedhje në Tiranë. I riu nga Tetova kishte ardhur në Shqipëri prej disa kohësh dhe sipas policisë mendohet se ka vjedhur aksesorë të shumtë të dhjetëra makinave. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se arrestimi i tij është bërë dy ditë më parë, kur ai ishte duke hequr pasqyrat e një makine “Benz”. Policia e kryeqytetit tha se nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 2 është arrestuar në flagrancë shtetasi Bejtulla Islami, 21 vjeç, banues në Tetovë, me shtetësi maqedonase. Kapja dhe më pas arrestimi i tij u kryen sepse rreth orës 20:30, pranë stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë, dyshohet se ka tentuar të vjedhë pasqyrat e automjetit me targa TR 1491 U. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas ka vjedhur edhe shumë aksesorë të mjeteve të ndryshme në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë e ftohtë thikë, si dhe një kaçavidë. Dosja në ngarkim të tij po punohet për dokumentimin e të tjera vjedhjeve të automjeteve dhe pjesë mjetesh të realizuara prej tij, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “vjedhjes”.

3 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›