E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot takimi Patozi-Ruçipër hetimine zgjedhjeve

TIRANE- Do të zhvillohet sot takimi i dytë mes kryetarëve të grupeve parlamentare, Gramoz Ruçi i PS-së dhe Astrit Patozi nga PD-ja në kuadër të zgjidhjes së ngërcit politik pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Palët do të duhet të ngrenë komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit deri të hënën që vjen, kur do të jetë seanca e fundit e Kuvendit, për këtë sesion parlamentar. Nuk bëhet e ditur nëse palët do të kenë me vete që sot, një projekt-marrëveshje, mbi të cilin do të firmosin, ndërsa mbetet ende enigmë si do veprohet për kutitë e fletëve të votimit.

PS kërkon garancinë që këto fletë të arkivohen, dhe nuk do të digjen, për sa kohë do të hetohen materialet zgjedhore.
Që nga takimi i parë është rëndë dakord që të ngrihet komisioni hetimor, shumicën e të cilit do ta përbëjnë deputetët e opozitës. Komisioni do të drejtohet po ashtu nga opozita dhe puna do të nisë me hapjen e materialeve zgjedhore.
Bisedimet e takimit të sotëm duket se do të përqendrohen pikërisht në teknikën që do të përdoret për t’i shkuar deri në fund transparencës, siç kërkon opozita.

Partitë në këtë marrëveshje do të saktësojnë edhe një pikë, në të cilën të gjitha institucionet shtetërore si KQZ-ja, apo institucione të tjera private, që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që opozita do t’i propozojë komisionit hetimor që mund të ngrejë parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që t’i përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë, dhe mundësisht brenda 7 ditësh.

Duket se palët kërkojnë që të nisin përpjekjet konkrete për zgjidhjen e krizës, para vjeshtës, kur pritet tjetër vlerësim nga Bashkimi Evropian, si për liberalizimin e vizave apo për ecurinë e procesit të integrimit të vendit.

Një performancë pozitive i intereson më së shumti qeverisë, ndërsa opozita nga ana e saj nuk do të japë përshtypjen e një pale që ndikon negativisht në këto procese integruese. Menjëherë pas vënies në rrugën e zgjidhjes së transparencës së zgjedhjeve të kaluara, palët do të duhet që të nisin një tjetër histori, atë të reformës zgjedhore për vendoret e vitit që vjen.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›