E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot vendoset për këstin e gjashtë për Greqinë

Bashkimi Europian pritet sot të ndezë dritën jeshile për lëvrimin e këstit të gjashtë të kredisë për Greqinë. Ministrat e Financave të vendeve anëtare të Eurozonës pritet të bihen dakord për detajet e forcimit të Fondit Evropian të Stabilitetit Financiar (FESF) në mënyrë që ti jepet kësti i gjashtë Greqisë i cili është jetik për të shpëtuar vendin nga falimentimi në një kohë që kriza e borxhit ka marrë përmasa të rrezikshme në Evropë.

Pika e parë në rendin e ditës së mbledhjes së ministrave të Eurozonës është lëvrimi i këstit të gjashtë, prej 8 miliardë eurosh për Greqinë. Pas pavendosmërisë dhe vonesave të muajve të fundit, lëvrimi i këstit të gjashtë është në rrugën e duhur, vlerësojnë burime të ndryshme evropiane.

Hapi i ardhshëm i Eurozonës është forcimi i Fondit Evropian të Stabilitetit Financiar, për parandalimin e përhapjes së krizës në Itali dhe Spanjë. 17 shtetet anëtare të eurozonës do të ratifikojnë të martën, në radhë të parë, kornizën e përgjithshme të Planit të Veprimit të Fondit Evropian të Stabilitetit Financiar edhe në qoftë se puna përgatitore duket më komplekse.

Ndërkohë, kryeministri Lukas Papadhimos do të informojë krerët e Partisë Komuniste Greke (KKE), Koalicionit të së Majtës Radikale (SYRIZA), e të Majtës Demokratike dhe Aleancës Demokratike për zhvillimet në Bashkimin Europian dhe hapat e ardhshëm të qeverisë.

Në këtë kontekst, Papadhimos do të takohet të hënën me sekretaren e Përgjithshme të KKE-së Aleka Papariga.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›