Kodi zgjedhor, pesë muaj negociata për të gjetur konsensusin
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor publikon raportin për miratimin e projektligjit “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”
Pas mbylljes së Reformës Zgjedhore, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor doli dje me një raport ku bëri të ditur se miratoi projektligjin për “Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.
Në emër të këtij komisioni, dy bashkëkryetarët e tij, Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafaj, kanë sqaruar gjithë rrugën dhe punën e komisionit, deri në arritjen e hartimit të një drafti të Kodit Zgjedhor.
Sipas dy bashkëkryetarëve, mësohet se, “Ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar u miratua nga Kuvendi me konsensusin e gjerë të të gjitha forcave politike për një periudhë një-mujore. Afati i veprimtarisë së Komisionit u shty nga Kuvendi 3 herë për shkak të kompleksitetit të fushës që mbulon projektligji, ku mjaft kohë grupi i ekspertëve i kushtoi studimit të legjislacionit të vendeve që zbatojnë sisteme të ngjashme zgjedhore dhe shqyrtimit të të gjitha rekomandimeve ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve. Në vendimin e Kuvendit nr. 224, datë 30.10.2008, afati i fundit i veprimtarisë së Komisionit ishte përcaktuar data 14 nëntor 2008”.
Më pas, dy bashkëkryetarët kanë sqaruar edhe arsyet e shtyrjes së mandatit të ëktij komisioni.
“Komisioni aktual është ngritur pas mbarimit të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, të miratuar me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 101, datë 17. 05. 2007, për një periudhë 3 – mujore. Afati i këtij të fundit u shty për një periudhë të dytë 3-mujore me vendimin nr. 120, datë 17. 09. 2007. Megjithëse në përfundimin e afatit të këtij Komisioni nuk u arrit t’i paraqitej Kuvendit teksti i projektligjit të Kodit të ri Zgjedhor, negocimet e bëra në këtë Komision patën si rezultat ndryshimet në sistemin zgjedhor të miratuara në Kushtetutën e Shqipërisë me ligjin nr. 9904, datë 21. 04. 2008 ‘Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar’, ndryshime të cilat i hapën rrugë edhe krijimit të Komisionit të ri parlamentar”, sqarojnë në raportin e tyre, dy bashkëkryetarët.
Më tej, Rusmali dhe Xhafaj, kanë shpjeguar dinamikën e komisionit, deri në përfundim të misionit të tij.
“Gjatë periudhës korrik – nëntor 2008, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor ka qenë aktiv në punën e tij duke zhvilluar 14 mbledhje, ku, përveç miratimit të formulimeve konkrete të neneve të projektligjit, janë bërë edhe seanca dëgjimore me grupet e interesit, të cilat kishin kërkuar paraprakisht që të dëgjoheshin në lidhje me problemet dhe sugjerimet e tyre për Kodin e ri Zgjedhor. Të pranishëm në Komision për të dhënë mendimet e tyre gjatë procesit të draftimit, kanë qenë: Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuar; Komiteti Shqiptar i Helsinkit; Instituti Shqiptar për Zhvillimin e sistemit të Zgjedhjeve, si dhe grupimi G 99. Gjithashtu Komisioni ka zhvilluar një seancë dëgjimore edhe me zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, në lidhje me ecurinë e procesit të krijimit të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Gjendjes Civile, Kartave të Identitetit dhe Pasaportave biometrike. Puna për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor nga ana e Komisionit ka qenë e ndarë në tre faza: (i) negocimi dhe përgatitja e draft-neneve nga grupi i ekspertëve; (ii) prezantimi dhe diskutimi i neneve në Komision, i cili i miratoi ato, apo në raste të veçanta rekomandoi sugjerime për t’u përfshirë në variantin përfundimtar të projektligjit nga ekspertët; (iii) miratimi nga Komisioni i tekstit integral të projektligjit. Komisioni, në mbledhjen e tij të fundit, në datë13 nëntor 2008, me 93 vota pro, miratoi tekstin e plotë të projektligjit ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, të cilin ia paraqet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim”, përfundon raporti i dy bashkëkryetarëve Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafaj.
Ndryshimet kryesor në Kodin Zgjedhor
Sistemi zgjedhor
Nga sistemi zgjedhor mazhoritar-proproncional me korrektim kombëtar, Shqipëria
do të ketë tashmë një sistem zgjedhor proporcional rajonal i modelit spanjoll. Elementi më i rëndësishëm në këtë ndryshim sistemi është përllogaritja e mandateve të deputetëve që një parti apo koalicion zgjedhorë fitojnë në Kuvendin e tyre. Për këtë u
ra dakord për dy formula, njëra quhet “De Honti” dhe tjetra “Sant Lege”, ku pragu do
të varet edhe nga numri i deputetëve që do të dalin nga secili prej 12 qarqesh.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
KQZ do të përbëhet nga 7 dhe jo më nga 9 anëtarë. Mandati i çdo anëtari të KQZ-së nga 7 vjet do të bëhet 4 vjeçar. Anëtarët e KQZ do të zgjidhen nga vetë parlamenti. Kryetari i KQZ-së zgjidhet në Kuvend me një procedurë të veçantë nga anëtarët e tjerë dhe do t’i përkasë mazhorancës, ndërsa nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës.
Komisionet e dyta dhe të treta
Komisionet e Qendrave të Numërimit dhe Komisionet e Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve do të kenë në përbërjen e tyre shtatë anëtarë. Dy prej tyre do t’i përkasin Partisë Socialiste dhe po aq Partisë Demokratike. Një anëtar do t’i përkasë forcës së dytë më të madhe të mazhorancës dhe një forcës së dytë më të madhe të opozitës. Anëtari i 7 do të zgjidhet me short mes PD e PS.
Përfaqësimi i listës zgjedhore
Lista e partisë me kandidatët për zgjedhje duhet të përmbajë minimalisht 30 për qind femra. Renditja e kandidatëve në listë përcaktohet nga vetë subjekti zgjedhor, që e paraqet atë, me kusht që në çdo grup prej 6 kandidatësh të ketë jo më pak se dy kandidatë nga secila gjini. Në rast se subjektet politike nuk plotësojnë kriteret e paraqitura, atëherë, KQZ-ja nuk do të regjistrojë subjektin në fjalë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
...