E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot votojmë ligjin për hapjen e dosjeve

22/12/2008  Kryeministri Sali Berisha deklaron siguri për nismën ligjore e lustracionit

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se në seancën plenare të pasdites së sotme mazhoranca do të votojë ligjin për dosjet. Në një konferencë për shtyp, dedikuar vetëm ligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në administratën shtetërore”, kreu i qeverisë është shprehur i prerë dhe besimplotë se në Parlament do të votohet ligji. Kreu i qeverisë ka vlerësuar se projektligji i propozuar është tërësisht kushtetuese. “Me këtë ligj mazhoranca aktuale nuk synon kurrfarë hakmarrjeje, por synon të përmbush një detyrim madhor moral të shoqërisë shqiptare, atë të dënimit të krimeve të komunizmit, të shprehë distancimin ndaj barbarive të këtij sistemi”, ka deklaruar Kryeministri Berisha. Ai ka qenë tepër i ashpër ndaj kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili ka kundërshtuar fuqishëm draftin ligjor të paraqitur nga mazhoranca. “Nuk jam këtu për të bërë polemikë, por zotit Rama, i cili në një ligjëratë të tij, ku dridhej i tëri i lejoi vetes gjuhën e halabakut ndaj meje, dua t’i them se mbrojtja nga ana juaj e një grushti njerëzish në krye të drejtësisë shqiptare, të cilët kanë vendosur varje publike të poetëve dhe intelektualëve, kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba dhe zvarritjen në sheshet dhe rrugët e Shkodrës e Sarandës, të kufomave të të rinjve shqiptarë dhe kjo edhe në vitin 1989-’90 përdhos shpirtin e tyre të martirizuar dhe dëshmon se ti mban sot po atë qëndrim që kanë mbajtur anëtarët e Presidiumit famëkeq të Kuvendit popullor, të cilët sipas dokumenteve origjinale zyrtare, kur kanë diskutuar për vendimet e tyre për varje e pushkatim në një nga rastet, njëri prej tyre shprehej se të dy janë plehra e do të pushkatohen”, ka thënë Berisha. Duke iu referuar po kryesocialistit Rama, Berisha tha se nuk mund të bëj fajtor për krimet qe ka bërë i ati. Berisha ka kujtuar që në hapat e para të demokracisë shqiptare Edi Rama dhe Ardian Klosi i kërkuan atij të varte të gjithë ata persona që kishin kryer krime gjatë diktaturës së komunizmit. Megjithëse ftoi deputetët e majtë të reflektojnë dhe të mbështesin këtë projektligj, shefi i ekzekutivit tha se votimi do të bëhet edhe pa ta. Ai u shpreh i bindur për votën në seancën e sotme plenare. Kryeministri Berisha ka pranuar se ka pasur oponencë nga ana e drejtueseve të përfaqësive ndërkombëtare në vendin tonë. Sipas tij, vota në seancë nuk bëhet kundër askujt apo për hakmarrje. “Nuk di që ambasadori Uidhers të ketë thënë se ligji dhunon Kushtetutën. Por unë nga ana tjetër gjykoj se ka një Gjykatë Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili është autoriteti suprem i vlerësimit të të gjithë papajtueshmërisë së veprimeve”, deklaroi Kryeministri Berisha. Ai ka theksuar se projektligji që do të votohet në seancën e sotme është një variant qartësisht shumë më i zbutur se ligji çek, në të cilin bazohet. Berisha theksoi se është shumë më i zbutur se varianti polak apo ai gjerman i ligjit për lustracionin. Ai tha se ligji çek për hapjen e dosjeve ka kaluar për shqyrtim dhe vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Çekisë, e cila e ka gjetur atë në përputhje të plotë me Kushtetutën e atij vendi. Ai ka thënë se edhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kanë kërkuar zbardhjen e krimeve të komunizmit në vendet lindore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›