Inspektorati i Ushqimit gropos 30 kv ushqime të skaduara
22/12/2008 Inspektorati i Ushqimit në Fier ka bllokuar vetëm për këtë muaj rreth 30 kv ushqime të skaduara në njësitë tregtare të qarkut Fier. Drejtuesi i Bujqësisë dhe Ushqimit, Fatos Troka, është shprehur se e gjithë kjo sasi ushqimore është gjetur në rreth 50 njësi tregtimi që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Fier, për të cilat 10 prej tyre janë bllokuar dhe për pjesën tjetër është marrë masa e penalizimit me gjobë. Sasia e ushqimeve të skaduara ka nisur të asgjësohet me groposje. Mallrat ushqimore janë kryesisht biskota, çokollata, lëng frutash etj që u kishin kaluar afatet e përdorimit. “Sasia e ushqimeve të skaduara janë deri tani 30 kv ushqime”,-ka thënë drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, Fatos Troka, të cilat u përkasin mallrat ushqimore si biskota, qumësht, çokollata, pasta lëng frutash etj. Numri i subjekteve, të cilat janë bllokuar, gjobitur ose lënë afat kohor nga Inspektorati janë rreth 50 subjekte, të cilat do të kontrollohen sërish me qëllim që konsumatorët fierakë të jenë të sigurt në sasinë e mallrave ushqimore, të cilat do të përdorin. “Këto kontrolle të kryera nga Inspektorati i Bujqësisë dhe Ushqimit në Fier, janë sipas Trokës në shërbim të komunitetit për tu garantuar një produkt cilësor, ku dihet se po afrohen edhe festat e fundvitit. Ndërkohë jo të pakta janë dyshimet se në pikat e shitjes me pakicë në të gjithë vendin tregtohen mallrat që janë në ditët e fundit të skadimit. Kjo shihet me shqetësim pasi konsumimi i tyre mund të sjellë dhe dëme tek konsumatorët.