Sot zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi

Qendrat e votimit janë hapur sot në mbarë Bjellorusinë e cila zhvillon zgjedhjet parlamentare, të cilat janë bojkotuar nga dy partitë kryesore opozitare. Kundërshtarët e presidentit, Alexander Lukashenko u kanë bërë thirrje njerëzve të injorojnë procesin.
Votimi vjen dy vjet pasi Lukashenko fitoi zgjedhjet presidenciale. Që atëherë, autoritetet bjelloruse kanë shtypur brutalisht opozitën.
Presidenti aktual shpesh konsiderohet si diktatori i fundit në Evropë dhe udhëheq vendin që nga viti 1994.
Në burgjet e vendit ndodhen aktualisht 11 të burgosur politikë dhe Amnesty International thotë se autoritetet kanë burgosur po ashtu edhe aktivistë të opozitës, para mbajtjes së procesit.
Dy partitë më të rëndësishme të opozitës, UC dhe BPF u tërhoqën nga gara rreth një javë më parë. Ndërkohë raportet e mediave ndërkombëtare flasin se rezultati i zgjedhjeve është përcaktuar më parë.
Fitorja e presidentit Lukashenko në zgjedhjet e 2010 shkaktoi konfrontime të dhunshme në kryeqytetin Minsk mes forcave të sigurisë dhe mijëra aktivistë të opozitës të cilët pretendonin votimi ishte manipuluar. Sipas vëzhguesve perëndimorë Bjellorusia nuk ka mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme që nga viti 1994 që kur Lukashenko erdhi në pushtet.