Pakistan, ministri shpërblim për kokën e regjizorit

Situata e krijuar pas publikimit të filmit kundër Islamit duket se po merr përmasa të mëdha. Ministri i Hekurudhave në Pakistan ka ofruar 100 mijë dollarë për atë person që i çonte atij kokën e regjizorit të filmit.
"Do të shpërblej me 100 mijë dollarë këdo që vret regjizorin e atij filmi dhe nëse dikush do të bëjë ndonjë material të tillë në të ardhmen, do t`i ofroj përsëri të njëjti shpërblim. Liria e shprehjes nuk mund të përfshijë fyerjen e Profetit. Nëse kjo do të ndodhë, e ardhmja do të jetë tepër e rrezikshme për të gjithë",- tha ministri Ghulam Ahmad Bilour.
Por pak minuta pas deklaratës së tij një zëdhënës i qeverisë u shpreh se qeveria distancohet nga deklarata e ministrit.
Një ditë më parë të paktën 23 persona vdiqën nga protestat e dhunshme të shpërthyera në rrugët e Pakistanit, nga turma të zemëruara nga filmi anti-islam i prodhuar në SHBA.
Trazira të vazhdueshme ka pasur në vendet arabe që janë shkundur nga protestat pas publikimit të filmit amator Pafajësia e myslimanëve.
Ndërkohë protestat kanë vazhduar. Në Bangladesh policia është përleshur me protestuesit që kishin mbushur sheshin kryesor në kryeqytetin Daka.
Forcat e sigurisë përdorën gaz lotësjellës për të shpërndarë turmën që qëllonin me gurë. Në Nigeri, mijëra vetë dolën për të dënuar videon në rrugët e qytetit Kano, në pjesën veriore të vendit me shumicë myslimane.