Ky ligj, mund të zbatohet?
LIGJI PËR DOSJET
Termi ‘spiun’ është bërë zotërues situatash dhe mbretëron në këtë fundvit, duke parë si konkurrent vetëm mjekërbardhin e Krishtlindjeve. Ndërkohë, deficiti politiko-ekonomiko-social, që krijon kjo zhurmë e re e teneqeve të vjetra, mbetet i pallogaritur në hesapet e këtyre ditëve.
Për ne dëgjuesit e kuvendorëve, nervat e prodhuara nga debati për dosjet dhe ‘lufta e truve’, thjesht na kanë dhënë një diçka të re për t’u mërzitur. Të panjohurat e njohura që vrenjtën foltoret për orë e ditë të tëra, ‘të detyrojnë’ t’u kthesh krahët.
Duke bërë llogaritë në vija të trasha, të gjithë janë të ndërgjegjshëm se shumica e atyre që kanë dhënë dënime politike dhe fatale për qindra njerëz, tani nuk janë. Vitet, vetë njerëzit dhe qëllimet e veshura me kulisa, ‘i mbrojtën’ ata nga ndëshkimi i merituar. Kanë kaluar 18 vjet. E në raste të tilla, nëse ke humbur kohën kur kalon treni, mos u përpiq më kot të ecësh me gomar.
Gjykatës e prokurorë janë vënë sërish në thep të ligjit të ri. Seç ka edhe një koincidencë të përputhshme që kjo kategori anatemohet, sa herë që përpiqet t’i bindet vetëm betimit profesional e jo presionit politik. Por ka edhe një këndvështrim tjetër. A duhet kryqëzuar një nëpunës i periudhës së diktaturës, kur ai i është bindur ligjit të kohës? E në rastin specifik, duhej apo nuk duhej t’u bindeshin ligjeve këta njerëz? Se, të mos i bindesh ligjit, është e dënueshme, qoftë në diktaturë, qoftë në demokraci.
Ka edhe të tjera argumente. Çdo i zgjedhur në gjykata apo prokurori, ka një procedurë të përcaktuar në Kushtetutën e vendit. Aq më tepër që, për pozicione të tilla, Kuvendi ‘jep pëlqim’ ose krerët e shtetit, japin visto. Hartimi i një ligji që ‘i fshin’ ata në moment nga funksionet, vë në dyshim legjitimitetin e kësaj Kushtetute. Kjo e shkreta (Kushtetuta), po ndryshon aq shpesh e aq shumë, saqë ende nuk po mëson dot veten me ‘orenditë’ e shtëpisë, sepse sa hap e mbyll sytë, i vjen një tjetër.
Duke qenë se jemi mësuar të na listojnë politikisht edhe kur shprehim një mendim personal, po ‘guxoj’ e po them që një ligj i tillë është i nevojshëm të hartohet. Por, më tepër sesa dënues, ky ligj duhet të jetë parimor në esencë. Sepse ai e humbi shansin për të qenë i zbatueshëm. Tashmë i duhet lënë ekspertëve të rregullojnë një ligj që t’i shërbejë kryesisht historisë dhe të distancojë periudhat, sesa të përqendrohet në emra të posaçëm, apo pozicione të caktuara. Të përfshijë Shqipërinë ne vendet postkomuniste që e miratuan këtë ligj, por të mos na bëjë kazus edhe për këtë rast, se boll e kemi pozicionin e ‘pares së kuqe’.
Kemi një lloj ‘vesi’ ne shqiptarët (politika) që t’i marrim mbrapsht sinjalet: Kur na kërkohet të nxitojmë për ndonjë ligj (si Kodi Zgjedhor), ‘rehatohemi ngeshëm’. Ndërsa kur na kërkohet të mos ngutemi, vrapojmë si të ndërsyer.