Pronarët: Po digjet fondi i kompensimit
Sekretari i “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro: Ritmet e procesit vështirësojnë kompensimin
“Ne dyshojmë se qeveria nuk ka përcaktuar fondin e kompensimit për 2008-n”
Ish-pronarët shprehen skeptikë mbi shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2008. Sekretari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, thotë për “Shekulli” se me ritmet që ka ecur procesi, do të jetë i vështirë realizimi i kompensimit brenda këtij viti. “Fondi nuk mund të shpërndahet pa përfunduar, së pari, i gjithë procesi i shqyrtimit të të gjitha dosjeve që janë depozituar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, - deklaron Toro. Sipas tij, vetë ligji përcakton se procesi i shqyrtimit të dosjeve të depozituara pranë kësaj agjencie duhet të kryhet brenda 3 muajve. “Në rast se marrim parasysh pikërisht kohën që kërkon ky proces, por edhe ritmet me të cilat ka ecur deri tani, ne jemi skeptikë se do të mund të realizohet shpërndarja e fondit prej 5 milionë dollarësh brenda këtij viti. Nga ana tjetër, duke iu referuar përsëri legjislacionit shqiptar, mosshpërndarja e këtij fondi deri në 31 dhjetor 2008, do të bëjë që ai të digjet”, - thotë Toro. Situata e krijuar, sipas tij, ka ardhur si pasojë e neglizhencës që tregoi qeveria për të nxjerrë vendimin për shpërndarjen e fondit. “Dua të kujtoj se fondi duhej të shpërndahej brenda qershorit të shkuar, ndërkohë që vendimi doli vetëm më 3 nëntor. Menjëherë pasi tij nisi procesi i dorëzimit të dosjeve, i cili përfundoi më 3 dhjetor. Kjo e bëri të pamundur që procesi vijues, pra ai i shqyrtimit të dosjeve, të përfundojë brenda kësaj kohe. Nga e gjithë kjo histori ne hedhim dyshimet tona se qeveria nuk e ka përcaktuar asnjëherë këtë fond dhe për këtë arsye e vonoi nxjerrjen e vendimit deri sa të dështonte si proces”, - përfundoi ai.
Skema
Këtë vit, në bazë të ligjit dhe vendimit të qeverisë, fondi prej 500 milionë lekësh duhet të shpërndahej sipas një procedure të re dhe jo me short siç është bërë vitin e shkuar. Për shpërndarjen e tij do të merrej parasysh ajo dosje që kishte marrë vendimin për njohjen e pronës më parë. Kështu, pas shqyrtimit që do t’u bëheshin dosjeve të dorëzuara, do të veçoheshin fillimisht dosjet e parregullta, ku vëreheshin mungesa në dokumentacion dhe më pas të gjitha dosjet e sakta do të gjykoheshin në bazë të hershmërisë së vendimit.Fejzi Braushi
KompetencatAnkimimi në Gjykatën Kushtetuese
Shoqata “Pronësi me Drejtësi” ankimoi javën e shkuar në Gjykatën Kushtetuese dy nga nenet e ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Ish-pronarët pretendojnë se këto dy nene i japin Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, e cila është nën varësinë direkte të qeverisë,kompetencat e gjykatës për anulimin e titujve të pronësisë. Në kërkesën e saj, shoqata “Pronësi me Drejtësi”, argumenton se është antikushtetuese që një vendim i një komisioni të kthimit dhe kompensimit të pronës, i cili ka marrë formë të prerë, të mund të shfuqizohet në mënyrë administrative nga ana e një titullari që emërohet nga qeveria. Përfaqësues të kësaj shoqate thanë se qeveria nuk ka të drejtëtë ndërmarrë një nismë e tillë, pasi sipas tyre kjo e drejtë i takon gjykatës. Sipas shoqatës së ish-pronarëve, komisioni ka të drejtë të bëjë kontrollin, të verifikojë çfarëdolloj shkeljeje që është bërë qoftë edhe ndër vite, por vendimi duhet t’i kalojë gjykatës, nuk ka ai asnjë të drejtë që të anulojë vendimin vet
740 është numri i dosjeve të dorëzuara nga ish-pronarët për të përfituar nga kompensimi
250 është numri i dosjeve të shqyrtuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
500 milionë është fondi i parashikuar në buxhetin e vitit 2008 për kompensimin e ish-pronarëve
Drejtori i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj: Po bëhen përpjekje për të shpërndarë fondin e kompensimit brenda vitit
“Kompensimi, fituesit brenda muajit dhjetor”
“Verifikimi është procesi më i vështirë dhe merr kohën më të madhe në shqyrtimin e dosjeve”
Në një intervistë për “Shekulli”, drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave, Tunxh Vatnikaj, thotë se po bëhen të gjithë përpjekjet për të shpallur fituesit, që do të përfitojnë nga fondi 5 milionë dollarësh i kompensimit brenda këtij muaji. Deri më 3 dhjetor janë dorëzuar 740 dosje, nga të cilat deri tani janë shqyrtuar 250 të tilla, më pak se gjysma e tyre. Vatnikaj tregon edhe për ecurinë e procesit të kthimit fizik të pronave.
Z. Vatnikaj, tashmë është mbyllur procesi i dorëzimit të dokumentacionit për personat që do të kompensohen për vitin 2009. Si ka shkuar ky proces?
Më 3 dhjetor, është mbyllur afati dorëzimit të dokumentacionit nga të gjithë subjektet që kanë aplikuar për kompensim financiar. Në përfundim të tij, rezultuan pjesëmarrës 740 subjekte nga i gjithë territori. Gjatë kësaj kohe, nga zyrat rajonale të AKKP-së, po bëhet procesi i verifikimit të dosjeve të dorëzuara, konform Vendimit të Këshillit të Ministrave 1343, dt. 4.6.2008. Pas përfundimit të procesit të verifikimit dhe përgatitjes së relacioneve nga zyrat rajonale, të gjitha këto dosje do t’i përcillen zyrës qendrore të AKKP-së. Kjo e fundit, do të përgatisë vendimmarrjen përfundimtare për subjektet që do të përfitojnë nga fondi prej 500 milionë lekësh të rinj për vitin 2008.
Në këto momente që po flasim, në çfarë faze është procesi i shqyrtimit të dosjeve dhe kur pritet që të shpallen fituesit?
Deri tani, në zyrën tonë kanë ardhur një pjesë e mirë e relacioneve nga zyrat rajonale. Deri tani janë rreth 250 dosje që janë verifikuar dhe dërguar nga këto zyra. Nga Agjencia jonë janë ngritur grupet e punës për të bërë verifikimin në qendër dhe për të përgatitur vendimet finale për çdo subjekt. Ndërsa, për sa i përket shpalljes së fituesve, po bëhen të gjitha përpjekjet që fituesit të shpallen brenda muajit dhjetor. I gjithë stafi ynë, po punon pa pushim, edhe ditën e shtunë dhe të diel ata rrinë në zyrë për të verifikuar fluksin e kërkesave.
Çfarë vështirësish keni hasur gjatë këtij procesi?
Problemi me vështirësitë qëndron në procesin e verifikimit të dokumentacioneve. Duhet verifikuar nëse këto subjekte që kanë aplikuar, kanë përfituar nga Ligji 7501 apo kanë përfituar nga kthime apo kompensime të mëparshme. Pra, është një proces, i cili do kohën e vet. Probleme ka gjithashtu edhe në verifikimet e gjendjes juridike të pronësisë, në ZRPP. Pra, këtu komplikohet procesi, rritet gama e verifikimit, pasi një subjekt që aplikon, supozojmë, në Tiranë, mund të ketë trashëgimtarë në Sarandë apo Kukës dhe për çdo trashëgimtar që do të përfitojë nga kompensimi, duhet të paraqesë vërtetimin që s’ka përfituar kompensim nga ligjet e mëparshme. Në qoftë se ai ka përfituar do të përjashtohet nga ky proces. Kjo është ajo që e rrit volumin e punës dhe zgjat procesin e verifikimit.
Njerëzit janë të interesuar gjithashtu edhe për kthimin e pronave. Në çfarë faze është ky proces?
Procesi i kthimit të pronave vazhdon, proces i cili mbyllet në datën 31 dhjetor. Pas këtij afati, subjektet mund t’i drejtohen AKKP-së vetëm me vendim gjyqësor, ku të jetë përcaktuar rivendosja në afat e së drejtës të paraqitjes së dokumentacionit. Pra, pas kësaj date nuk humbet e drejta për të përfituar kthimin e pronës, por duhet që këto subjekte të interesuara t’i drejtohen Gjykatës, për të treguar pamundësinë e paraqitjes së dokumentacionit në kohën ligjore të përcaktuar në ligj.
Kush është procedura e shqyrtimit të kërkesave për kthim pronësie dhe sa është afati kohor i përcaktuar që këto subjekte të marrin një përgjigje?
Procedura e shqyrtimit të kërkesave për kthim pronësie kanë një rend të caktuar. Si fillim, personi i interesuar dorëzon dokumentacionin e duhur në AKKP-në rajonale, konform Vendimit të Këshillit të Ministrave 747. Pas plotësimit të të gjithë dokumentacionit, subjekti pajiset me një numër dosjeje dhe me faturën prej 2 mijë lekësh të rinj që ka paguar për hapjen e dosjes. Në këtë moment ngrihet grupi i punës, që verifikon dokumentacionin e paraqitur nga subjekti. Pas tij përgatitet vendimi dhe relacioni nga zyrat rajonale dhe pasi merret ky vendim, i përcillet zyrës qendrore të AKKP-së dhe shqyrtohet nga zyra juridike, që ndodhet e atashuar pranë nesh. Afati kohor, nga momenti që krijohet dosja, është 90 ditë. Në qoftë se hasen vështirësi në procesin e shqyrtimit të tij, zyra rajonale, duke nxjerrë një vendim, kërkon zgjatjen e shqyrtimit të dosjes edhe për 30 ditë të tjera. Pra, afati për të marrë një përgjigje përfundimtare është 120 ditë.
A ka pasur kërkesa për kthim pronash dhe sa llogaritet të jetë numri i tyre deri tani?
Po, ka pasur kërkesa për kthim pronash. Sidomos, ka një fluks kërkesash gjatë muajit dhjetor. Por e theksoj edhe njëherë, se dokumentacioni do të pranohet nga zyrat rajonale kur ai të jetë i plotë, pa plotësuar dokumentacionin, nuk mund të merret numër dosjeje. Ndërsa, për sa u përket rasteve për kthim pronësie, vazhdon procesi i vendimmarrjes në të gjitha qarqet. Por, për momentin ne nuk disponojmë një statistikë të tillë për kthim pronash. Këto përgatiten çdo tre muaj dhe në fund të vitit. Pasi bëhet raportimi nga zyrat rajonale, ato përpunohen edhe pranë zyrës sonë.
Si ka reaguar zyra juaj kur janë paraqitur dy kërkesa nga persona të ndryshëm për të njëjtin truall?
Procesi i verifikimeve të dokumentacionit has shpesh në vështirësi, si p.sh., në ZRPP, në SAMT, apo procesi i hartografisë që ka dhe ai problematikëne vet, por këto janë probleme të kapërcyeshme. Nuk e përjashtoj faktin që ka pasur edhe raste kur kanë ardhur dy pronarë për një truall. Ne si zyrë i shqyrtojmë paralelisht kërkesat dhe vendosim për atë që ka dokumentacionin më të plotë ligjor, pra ai që përputhet me Ligjet dhe VKM-në në fuqi.
Shoqata “Pronësi me Drejtësi” ka çuar dy nga dispozitat e “Ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, përkatësisht nenin 16 dhe 18 në Gjykatën Kushtetuese, duke i konsideruar ato si antikushtetues. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë fakt, duke qenë se jeni personi që prekeni drejtpërdrejt nga këto dy nene?
Çdo shoqatë apo çdo subjekt konform ligjeve, ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Por, ligjvënësi ka pasur parasysh, kur ka hartuar këto dy dispozita, procesin e vendimmarrjes së komisioneve rajonale të mëparshme, të cilat kanë pasur problematikën e vet. Me ligjin e vjetër ka qenë një numër i vogël dokumentacioni që kërkohej, prandaj ky ligj kishte mangësi të theksuara. Në rastet e mangësive në dokumentacion, ligji ka parashikuar që drejtori i përgjithshëm, me nismën e vet ose të ushtrimit të kontrolleve, të ushtrojë të drejtën për të marrë një vendim. Kjo ka vetëm një karakter rregullues dhe jo diskriminues. Një nisëm e tillë është parashikuar mbi baza strikte ligjore. Është gjetur në ligj një zgjidhje normale që e kërkonte procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave. E theksoj që ky ligj nuk ka karakter negativ, e gjitha është në funksion dhe në kuadër të zgjidhjes sa më të saktë dhe të shpejtë të këtyre vendimeve.
S’do të ishte më mirë që tagrin përfundimtar për një vendim të tillë ta kishte Gjykata dhe jo një person i vetëm?
Duhet të kemi parasysh se çdo vendim i marrë nga AKKP-ja, mund të ankimohet në Gjykatë, çdo subjekt ka të drejtë brenda 30 ditëve, të bëjë një ankesë pranë Gjykatës së rrethit ku jeton. Ne japim vendime administrative, jo përfundimtare, në kuptimin e ankimimit. Çdo subjekt mund të ankimohet dhe kjo s’e pengon atë që të vendosë drejtësi. E parë në këtë prizëm, nenet 16 dhe 18, e ritheksoj, nuk kanë karakter diskriminues ndaj pronarëve ose ish-pronarëve.