Spahiu: Atentat ndaj sistemit të drejtësisë. Pavarësisht presioneve të Berishës, nuk dorëhiqem
Nënkryetari i Këshilli të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka reaguar në lidhje me ngritjen e një komisioni për shkarkimin e tij. Ai e ka cilësuar këtë si një akt të paprecedentë dhe një presion të hapur ndaj drejtësisë nga ana e kryeministrit Berisha. Pavarësisht kësaj, Spahiu ka thënë se nuk do të japë dorëheqjen.
“Kryetari i komisionit vendosi të më mohonte të drejtën e fjalës dhe argumimit tim që kisha përgatitur për këtë seancë dëgjimore në Komisionin për Cështjet Ligjore.
Sapo nisa të mbaja fjalën time kreu i komisionit më ndërpreu, duke ushtuar presion të hapur me qëllim shantazhimin e personit tim që unë të mos argumentoja apo relatoja sa i përkët kërkesës së 33 deputeteve të mazhorancës parlamentare për shkarkimin nga detyra ku unë prej më shumë se katër vitesh ushtroj.
Ata kanë frikë nga e vërteta dhe për këto arsye i shmangen debatit dhe vetëm shajnë e denigrojnë, ata kanë humbur gjithshka dhe kanë frikë nga e nesërmja. Arroganca politike e përdorur, jo ndaj meje, por ndaj një titullari të lartë të shtetit shqiptar ishte evidente, deri në anomali logjike ku u thirrën rojet e sigurë për të nxjerrë përjashta Zëvëndëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Kjo sigurisht është një ngjarjë shumë e rëndë dhe e paprecedentë në historinë e parlamentarizmit dhe të drejtësisë e cila tashmë ndodhet në udhëkryqin më të madh, nën presionin dhe sulmin më frontal se kurrë më pare.
PD bëri atentat sot ndaj sistemit të drejtësisë. Sot mu mohua e drejta e fjalës në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Presioni publik i kryeministrit ndaj meje është një rast i paprecedent dhe dhunim i japur, pasi qeveria dhe kryeministri kërkojnë të nënshtrojnë sistemin e drejtësisë. Pavarësisht presioneve, unë nuk jap dorëheqjen.
Nuk mundet që një pushtet të kontrollojë një pushtet tjetër. Këtu nuk është çështja e shkarkimit të Kreshnik Spahiut, sepse unë e kam zgjedhur rrugën dhe e kam shprehur publikisht, por është problemi tek precedenti.
Sot u cënua rëndë Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe deklaroj publikisht se nuk do të marr pjesë kurrë në këto komisione apo komisione të tjera.
Kur ky pushtet nuk dëgjon zërin e përfaqësuesit më të lartë të drejtësisë, si mund të dëgjojë zërin e njerëzve të thjeshtë.
Unë tashmë do ti drejtohem Gjykatës Kushtetuese, për të vlerësuar antikushtuetshmërinë për shkarkimin tim, deklaroi Spahiu.