Vidhet banesa, policia në kërkim të autorëve
FIER - Një banesë në fshatin Libofshë të komunës me të njëjtën emër, 12 kilometra larg nga Fieri, është vjedhur orët e para të mëngjesit të së hënës.
Mësohet prej policisë se vjedhësit nëpërmjet thyerjes kanë marrë nga banesa shumën prej 7 milionë lekësh. Vjedhja e kësaj shume të madhe lekësh është konstatuar dje paradite.
Pronari Shkëlqim Grëmi së bashku me familjarët gjatë mbrëmjes së dielë duke aguar e hëna, nuk kanë qenë në shtëpi, por për vizitë tek disa të afërm të tij në një fshat pranë me Libofshën. I alarmuar Shkëlqim Grëmi ka njoftuar policinë.
Kjo e fundit ka mbërritur pranë banesës ku ishte denoncuar vjedhja dhe pas këqyrjes së vendit të ngjarjes ka vërtetuar se vjedhja është kryer me anën e thyerjes dhe dëmtimit të një prej dyerve të shtëpisë, ku nga policia janë gjetur shënja gjurmësh.
Shënjat e lëna, të cilat ishin të gishtërinjve të vjedhësve janë marrë dhe janë dërguar për analiza të mëtejshme në Institutin e kriminalistikës në Tiranë.
***********************************************************
Rrahu shokun, vihet në pranga
KORÇË- U grind me shokun disa muaj më parë dhe u dënua me 32 ditë burg. I është dukur si një përrallë e vërtetë prangosja një të riu nga qyteti i Korçës, i cili pak kohë më parë ishte grindur me një shokun e vet, madje ishte grushtuar me të.
I dënuar në mungesë, i riu ka pretenduar gjatë momentit të arrestimit se nuk ka pasur dijeni për këtë çështje, duke e quajtur atë të mbyllur pas dëshmisë që ka dhënë në polici në momentin e ngjarjes. I është dukur si një histori e të shkuarës, por e vërteta ka qenë krejt e ndryshme për të.
Troka, ndonëse është shoqëruar në polici për rrahjen publike që i ka bërë një shoku të vet për motive banale, e ka menduar të mbyllur çështjen në ditën e ngjarjes kur është shoqëruar nga uniformat blu dhe është marrë në pyetje rreth incidentit.
Më pas, ai është marrë me disa angazhime të familjes, kurse për një kohë nuk ka qenë fare prezent në shtëpinë e tij. Por ndërsa vetë i arrestuari me një mandat arresti për të kishte nisur të harronte ngjarjen, kanë qenë organet e drejtësisë që e kanë ndjekur atë.
Pas hetimeve në prokurori çështja ka kaluar në gjykatë dhe, megjithëse në mungesë, ai është dënuar me 32 ditë burg. Policia e Korçës pas urdhrit të ardhur nga gjykata pas vendimit të formës së prerë të saj, është vënë në kërkim të të riut dhe e ka prangosur atë.
Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se Romeo Troka, 25 vjeç, është arrestuar rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të dielës në afërsi të banesës së tij në lagjen 5 të qytetit. 25-vjeçari ishte duke u kthyer për në shtëpi, ndërsa është ndaluar nga forcat e policies, të cilat i kishin zënë pritë, duke mësuar më parë për lëvizjet e tij.
Troka ka dashur të shpjegohet duke iu thënë se nuk kishte ndonjë problem me uniformat blu dhe nuk kishte thyer ndonjë rregull apo ndoshta e kishin ngatëruar me tjetërkënd, por është bindur i shokuar pasi ka marrë në duar urdhrin e arrestit.
Vetëm më pas ai ka mësuar se grindja me shokun e tij e ka çuar atë në burg për akuzën e "plagosjes së lehtë me dashje" dhe "prishje të rendit dhe qetësisë poblike", për të cilat do të vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë me një muaj e dy ditë burg.
**********************************************
Kaloi klandestinë në Greqi, arrestohet udhërrëfyesi
Korçë- Pranga shkodranit kaloi drejt Greqisë klandestinët. Një i ri nga rrethi i Shkodrës ka përfunduar në pranga një ditë më parë, pas një urdhri-arresti të lëshuar nga Prokuroria e Korçës.
Musa Lisaji, 21 vjeç, banor i fshatit Vilzë në komunën e Postribës në Shkodër në muajin maj të këtij viti ka kaluar drejt Greqisë kundrejt pagesës nëpërmjet kufirit në rrethin e Devollit një grup prej pesë klandestinësh. Pagesa për gjithsecilin ka qenë deri në 800 euro.
Lisaji kishte rolin e udhërrëfyesit dhe i ka sjellë klandestinët nga rrethi i Shkodrës në atë të Korçës duke i çuar deri në fshatin e parë grek. Gjithçka është zbuluar kur policia e shtetit fqinj ka kapur ilegalët në thellësi të territorit të saj duke i kthyer pas në pikën kufitare të Kapshtiës.
Pas marrjes në pyetje nga ana e autoriteteve shqiptare të policisë kufitare është mësuar dhe për organizatorin e këtij udhëtimi ilegal drejt shtetit grek. Vetëm disa ditë më parë Prokuroria e Korçës ka nxjerrë urdhrin e arrestit për 21-vjeçarin i cili është në hetim për veprën penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit".
Arrestimi i tij është kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Korçës dhe atë të Shkodrës, ku një ditë më parë është kapur i kërkuari. Pas arrestimit i kërkuari është shoqëruar drejt qytetit juglindor, deri në mbylljen e hetimit dhe gjykimit të kësaj çështjeje.