Spahiu: Bashkëpunimi me PS varet nga qëndrimi për reformën zgjedhore
Kreshnik Spahiu, kreu i Aleancës Kuqezi, ka deklaruar dje për Shqip se qëndrimi i kësaj partie për një koalicion të mundshëm opozitar para zgjedhjeve të vitit 2013 do të varet nga sjellja e PS-së për reformën zgjedhore.
Spahiu deklaroi se PS-ja dhe PD-ja “kanë treguar se janë të së njëjtës medalje. Ne shpresojmë që të reflektohen të gjithë faktorët opozitarë.
Duke e shtjelluar më tej idenë e tij për këtë reflektim, kreu i Aleancës Kuqezi thekson se Aleanca Kuqezi ka hyrë në luftën dhe në garën politike për të fituar dhe shkatërruar establishmentin PS dhe PD. Rinovimi i elitave politike, kufizimi i mandateve dhe bashkimi kombëtar, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara, Shqipëri-Kosovë janë prioritetet e qeverisë së ardhshme kuq e zi. Qëndrimi me partitë e tjera do të jetë në varësi të rolit kushtetues, moral dhe politik që ato mbajnë me reformën zgjedhore. Partia bolshevike e Berishës është në shkatërrim e sipër dhe ajo po ruan sistemin aktual. Nëse PS-ja bëhet pjesë e pazareve të Berishës do të ndëshkohet nga deti i votave kuqezi. Opozita duhet të kuptojë se i është nënshtruar Berishës në çdo marrëveshje dhe kjo e ka bërë që të jetë e aftë të humbasë çdo betejë. Sistemi elektoral ka shkatërruar pluralizmin, por ajo do të groposë edhe dy partitë e mëdha.
Kreshnik Spahiu i vë një kusht të fortë PS-së, duke i përballur një ambicie të aspiratës të saj për fuqi elektorale. Kreu i AK-së thekson se ne jemi në luftë për të ribërë Shqipërinë në mentalitet, shoqëri, traditë, sistem, territor, institucione. Aleanca Kuqezi premton një Shqipëri larg fytyrave të urryera dhe ka në parim largimin e regjimit më të korruptuar, më të inkriminuar dhe më të vjetruar në Europë. Aleanca Kuqezi ka energjinë dhe kapacitetin e një gjaku dhe brezi të ri për një vend ku kthehen mijëra bashkëmoshatarë dhe të rinj që ndërtojnë Romën, Londrën, Brukselin. Ata duhet të ribëjnë së bashku me ne Shqipërinë, sepse duhet të hapë një kapitull të ri. Ne kemi alternativat për një Shqipëri ku të ndërtojmë treg të përbashkët mbarëkombëtar mbi nacionalizmin ekonomik, ku sektorët strategjikë dhe pasuritë kombëtare të administrohen nga shteti dhe jo kompanitë e demokratëve apo bizneset e socialistëve. Telekomunikacionet, miniera, puset e naftës, hidrocentralet etj., do të jenë pjesë e administrimit shtetëror dhe jo copëzime të sektorit privat.
Por Kreshnik Spahiu duket se ka një strategji të qartë në kokën e tij për të arritur një triumf elektoral. Të marrë kryesisht votat e Partisë Demokratike. Ndaj, në deklaratën për Shqip, kreu i Aleancës Kuqezi thekson se i bëjmë thirrje popullit që të mos jepet asnjë votë në qytete e fshatra për Partinë Demokratike, e cila plaçkiti Shqipërinë, e renditi vendin në listën e shteteve më të korruptuara për disa vite dhe për herë të parë në historinë e BE-së e la jashtë procesit të integrimit. 100-vjetori është viti kur duhet të pushojë së rrahuri zemra e lëvizjes më tradhtare të interesave të kombit shqiptar.