E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet shoferi i kamionit të kapur me hashash

TIRANË- Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, togat e zeza të kryeqytetit vendosen lirimin e menjëhershëm të Pellat Dervishit, i arrestuar katër ditë më parë nga policia pasi ngiste kamionin ku brenda tij u gjetën dhe u sekuestruan 20 kg hashash. Ka qenë gjyqtarja e masave, e cila pasi ka dëgjuar kërkesën e prokuroritë të çështjes, ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, pasi sipas akuzës, 54-vjeçari Dervishi nuk kishte dijeni për drogën që po transportonte.


Ndërkaq, për dy të dyshuarit e tjerë, shoferin e rregullt të kamionit tip "Skania" me targë "GJ 1327 B" koka e kamionit dhe "GJ 1328 B" trajner, shtetasin Artur Musta si dhe për djalin e pronarit të këtij kamioni shtetasin Endri Çani, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.


Avokatët mbrojtës të dy të dyshuarve të fundit, i kërkuan Gjykatës që të mos pranohej kërkesa e prokurorisë me argumentimin se nuk janë siguruar provat e arsyeshme për ngritjen e dyshimit ndaj klientëve të tyre. Por, prokurori i çështjes, në leximin e kërkesës së tij për vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" renditi një sërë provash indirekte që e bindën gjykatën se Musta dhe Çani dyshohet se janë përfshirë në trafikun e drogës nga Shqipëria në Greqi.


Sipas prokurorisë, ndaj tyre është ngritur akuza e "trafikimit të lëndëve narkotike" në bashkëpunim, duke dyshuar se ngarkesa e kapur katër ditë më parë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, nuk kanë qenë e para.


Sipas akuzës, shoferi Musta i kishte ofruar shtetasit Dervishi një shumë parash për ta kaluar në tokën greke kamionin poshtë së cilit ishte fshehur droga dhe vetë e priste matanë kufirit, në territorin grek.


Ndërsa, i dyshuari Çani gjatë gjithë kohës komunikonte me telefon me Mustën dhe shoferin Dervishi, për tu interesuar se si po ecte rruga. Sapo është afruar kamioni në pikën e kufirit, i është nënshtruar kontrollit të imtësishëm duke e konstatuar se në pjesën e fundit të trajnerit ndodheshin disa pako të mbështjella me letër natriban, brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar si hashash.


Më pas rezultoi se poshtë dyshemesë së trajlerit ishin 18 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban, me peshë që varionte nga 1 kilogramë e 100 gramë deri në 1 kilogramë 150 gramë secila, me peshë të përgjithshme 20 kilogramë. Pas sekuestrimit të drogës, u arrestua shoferi Dervishi që tregoi se kush ishin "shefat" e tij që e kishin paguar për të kryer këtë rrugë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›