E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama të bëjë transparente milionat e ndërtimit të “pallatit pajë”

22-04-2013 / Gazeta 55

Sulmet e kreut të PS ndaj fermerëve dhe qytetarëve shqiptarë, reagon PD

Partia Demokratike kërkon nga kreu socialist, Edi Rama të bëjë transparencën e shumës së parave për ndërtimin e pallatit të ndërtuar nga familjarët e bashkëshortes së tij, si dhe të parave për ndërtimin e vilës në Dajt. Gjatë një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi tha se krahas mungesës së transparencës në deklarimin e të ardhurave që bënë të mundur ndërtimin e “pallatit pajë”, Rama ka nisur edhe një fushatë fyerjesh dhe sharjesh ndaj qytetarëve. “Në Berat Z. Rama ishte shumë i axhituar dhe shau qeverinë, por kësaj radhe, urrejtjes së tij nuk i shpëtuan as fermerët pse kishin mbjellë ullinj dhe as dhomat e tyre të gjumit ku sipas tij ata mbanin ullinjtë dhe as rrugët e reja që e tmerrojnë atë. Unë jam sot këtu për t’i bërë thirrje Z. Edi Rama, të mos fshihet si frikacak prapa sharjeve me të cilat mbush sallat kudo që shkon: kundër mësuesve që sipas tij janë injorant dhe të paditur, kundër infermiereve që po sipas tij janë si ato, kundër policëve që sipas tij janë bandit, apo fshatarëve që i gjen me faj se mbjellin ullinj, dhe të bëjë me kurajo para qytetarëve transparencën që premtoi muaj më parë për “pallatin në pajë”. Z.Rama! Qytetarët kudo që Ju shkoni presin nga Ju, tu shpjegoni përse firmosët dy lejet e ndërtimit në konflikt flagrant interesi familjar dhe në shkelje të rëndë të nenit 62 të ligjit të urbanistikës për ndërtimin e pallatit të gruas suaj në lulishten para pallateve,  ndërkohë që Ju, po aty i kishit anuluar një qytetari tjetër lejen e ndërtimit të një pallati në sipërfaqet kallkan të pallateve dhe jo në lulishte”- u shpreh ajo.
Sipas saj, qytetarët nuk duan fyerje për infermieret që janë motrat, vajzat, nënat, bashkëshortet e tyre, por ata duan të dinë se ku janë marrë 1 milion Euro me të cilat u ndërtua pallati 5 katësh i gruas suaj. “Qytetarët prej tre muajsh presin që me transparence”, tu paraqesësh atyre faturat tatimore, bankare dhe ato të ndërtimit të pallatit 900 metër katror”, që sipas jush është ndërtuar nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar. Zoti Rama! Qytetarët nuk duan që ti të ofendosh mësuesit, atyre të cilëve ata u besojnë edukimin e fëmijëve. Ata duan të dinë çmimin e vërtetë të truallit të rezidencës suaj verore në malin e Dajtit që ju e keni deklaruar 2 Dollarë metrin katror, ndërkohë që në dokumentet zyrtare, komshinjtë tuaj po në atë zonë e kanë deklaruar 50 Dollarë metrin katror. Zoti Rama, qytetarët nuk duan që Ju t’ua quani fëmijët e tyre dele që hyjnë në klasa por ata kërkojnë nga Ju, që me transparencë tu tregosh burimin e të ardhurave me të cilat po ndërtoni rezidencën tuaj verore në malin e Dajtit. Qytetarët kanë të drejtë ta dinë këtë sepse kur gruaja e juaj deklaroi në intervistën e saj televizive se rezidenca juaj verore me gjatësi themelesh 57 metër po ndërtohet me “Parat e Kurbanit” ju të nesërmen e censuruat këtë deklaratë. Partia Demokratike kërkon nga Ju Z. Rama të lini mënjanë: sharjet dhe fyerjet për mësuesit, nxënësit, infermierët, policët, fermerët dhe prodhimet e tyre dhe të bëni transparencën si detyrim ligjor dhe moral i çdo politikani, përndryshe, “pallati i familjes në lulishte” ndërtuar me Leje të Paligjshme dhe burimi i parave të ndërtimit të tij, rezidenca juaj verore, çmimi i truallit dhe origjina e parave të ndërtimit të saj, do t’ju  mbeten në kurriz, në çdo takim, në çdo sallë, në çdo kuti votimi!”- theksoi zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›