E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama po tmerrohet nga përfundimi i rrugës Durrës–Kukës

Zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani, ka akuzuar dje ashpër kreun e PS-së, Edi Rama, të cilin e cilësoi si një “armik të egër të rrugës Durrës–Kukës–Prishtinë”. Bogdani reagoi pas konferencës për shtyp të deputetit socialist Taulant Balla, i cili akuzonte qeverinë për vjedhje të fondeve të kësaj rruge. Bogdani i cilësoi këto deklarata si një fushatë antikombëtare ndaj këtij korridori. Sipas tij, kryetari i PS-së, Edi Rama, po tmerrohet nga përfundimi i kësaj rruge. “Edi Rama, armik i egër i rrugës Durrës–Kukës–Prishtinë, njeriu që i vari në gjoks çelësat e Bashkisë së Tiranës Bregoviçit për urrejtjen e tij primitive ndaj shqiptarëve të Kosovës, nxori në tregun politik, nëpërmjet ish-trafikantit të vizave dhe qenieve njerëzore, zëdhënësit të tij Balla, shpifjen e radhës për korridorin e shqiptarëve. Ai akuzoi Kryeministrin e vendit dhe ish-ministrin e Transporteve për shumën prej 230 milionë eurove, për shkakun dhe tmerrin e tij të vetëm, se rruga po ecën me shpejtësi drejt përfundimit, dhe se së bashku me të vjen dështimi përfundimtar i armiqve të saj, të cilët me z. Rama në krye janë munduar për të sabotuar projektin më historik të kombit shqiptar”, - deklaroi Bogdani. Në fund të deklaratës së tij, Bogdani tha se Partia Demokratike do ta çojë deri në fund këtë projekt dhe dha mbështetje maksimale për ndërtimin e këtij aksi. “Partia Demokratike, duke dënuar farsën e ulët të shpifjeve dhe trillimeve të z. Rama dhe shpurës se tij, shpreh mbështetjen e plotë dhe totale për realizimin në kohë të këtij projekti të papërsëritshëm në historinë e vendit”, - tha Bogdani. Nga ana tjetër, PS-ja e ka parë ndërtimin e kësaj rruge si një burim korrupsioni. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, duke folur në emër të partisë së tij, tha se qeveria ka vjedhur në këtë aks 230 milionë euro. Partia Demokratike si dhe qeveria i kanë cilësuar këto deklarata absurde, si dhe fushatë antirrugë.

Edi Rama: Do prish ndërtimet pa leje

Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, deklaroi dje se do të prishen ndërtimet pa leje në Tiranë, të cilat sipas tij, cenojnë hapësirat publike. Pavarësisht se ligji i legalizimeve ndalon prishjen e çdo objekti pa leje para përfundimit të procesit të legalizimeve, kreu i bashkisë u shpreh i vendosur për prishjen e këtyre objekteve. “Do të vazhdojmë me intensitet të gjitha pastrimet dhe prishjet brenda blloqeve të banimit, si gardhe, garazhe, ndërtime të tjera abuzive që cenojnë hapësirën publike”, - deklaroi dje Rama në një takim me banorët e zonës numër 10 në Tiranë. Sipas Edi Ramës, politika e tij do të jetë një e ardhme e garantuar për qytetin e Tiranës. “Ne po progresojmë në mënyrë sistematike në të gjitha blloqet dhe po krijojmë modele, të cilat po shumëfishohen në territorin e Tiranës. Kemi një qytet që është bërë pikë referimi për gjithë Shqipërinë dhe një model zhvillimi. Si rrjedhim kemi një të ardhme të garantuar”, – tha Rama. Kreu i bashkisë ishte dje në njësinë bashkiake nr. 10 në kuadër të dëgjesave publike “Thuaj fjalën tënde”. Njëkohësisht edhe në njësinë bashkiake nr. 10 janë planifikuar një sërë ndërhyrjesh, duke përfshirë investime në rrjetet rrugore, në sistemimin e furnizimit me ujë, ndriçimin rrugor, modelimin urban etj. Sipas planit të kryebashkiakut, në këtë njësi bashkiake pritet ndërhyrja në nëntë sheshe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›