E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi i kodit, ekspertët: Topi pengoi procesin normal

Ekspertët e hartimit të Kodit të ri Zgjedhor shprehen se me kthimin në Parlament të kodit nga ana e Presidentit Bamir Topi është krijuar një boshllëk teknik, i cili pengon mbarëvajtjen e rregullt të zgjedhjeve të ardhshme. Sipas ekspertit të PD-së, që ndihmoi në hartimin teknik dhe ligjor të kodit, Oerd Bylykbashi, kthimi në Parlament ka shkaktuar një ngecje të procesit normal. Bylykbashi tha se kthimi i kodit ka bërë që të vonohet përbërja e KQZ-së, e cila ishte menduar që brenda muajit dhjetor të miratoheshin anëtarët dhe me miratimin e kësaj strukture, janë lidhur një sërë procesesh delikate teknike, si ajo e ndarjes së mandateve për qarqet. Njëkohësisht, vonesa do të krijojë probleme edhe në strukturën teknike që parashikon Kodi i ri Zgjedhor, tepër të domosdoshme për mbarëvajtjen demokratike dhe të rregullt të procesit zgjedhor. “Kthimi i Kodit Zgjedhor në Parlament krijon vështirësi, sepse me dekretimin e tij ishin lidhur një sërë procesesh teknike-juridike, të cilat ishin të nevojshme për përgatitjen e zgjedhjeve. Në qoftë se ne sot do ta kishim kodin të dekretuar, brenda pak ditësh do të kishim dhe dekretin për përcaktimin e datës së zgjedhjeve dhe do të kishim mundësi të fillonim me procedurat e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe menjëherë, me fillimin e muajit janar ndoshta KQZ do të kishte marrë vendimin përkatës për numrin e mandateve”, - tha Bylykbashi.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe eksperti i Kodit Zgjedhor i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Në një intervistë në një të përditshme, Gjinuri tha se kthimi i kodit do ta vështirësojë procesin teknik. “Nëse nuk zgjidhet në dhjetor, atëherë KQZ-ja do të fillojë punë në fund të janarit, duke rrezikuar seriozisht një sërë afatesh dhe aktesh që duhet të përgatiteshin që në muajin janar. Çdo vonesë në këtë drejtim do të krijojë probleme për arritjen e standardeve që parashikon kodi”, - tha Gjiknuri.

Për sa i përket pretendimit të Presidentit Topi për kthimin e kodit, ekspertët e hodhën poshtë atë, duke e cilësuar si një pretendim jokushtetues. “Motivacioni bazohet tek problemet teknike, tek fakti që përcaktohet një periudhë 9-mujore nga fundi i mandatit për dekretimin e datës së zgjedhjeve dhe se kjo periudhë 9-mujore nuk mund të aplikohet për periudhën zgjedhore që i bie periudha 15 mars-30 qershor. Presidenti i Republikës bën një lidhje mes këtyre dy momenteve, por faktikisht asnjëra nga këto nuk qëndron. Jo vetëm teknikisht bazuar në Kodin Zgjedhor, por edhe për faktin që asnjëra nga këta elementë nuk është element kushtetues, ashtu siç u pretendua”, - tha Bylykbashi.

Njëkohësisht edhe eksperti i PS-së, Gjiknuri, mbështeti të njëjtin qëndrim juridik, madje shtoi se me interpretimin që ka bërë Presidenca, do të vihej në vështirësi në situata të tjera të ngjashme. “Interpretimi kushtetues i bërë nga stafi juridik i Presidentit, jo vetëm që është i gabuar, por me interpretimin e zgjeruar që u ka bërë afateve të dekretit që përcaktohen me ligj, institucioni i Presidentit do të vihej në vështirësi politike e juridike në ndonjë situatë tjetër të ngjashme, siç ka ndodhur edhe më parë me nxjerrjen e dekreteve jashtë afateve ligjore”, - tha Gjiknuri. Eksperti i PD-së, nga ana tjetër, hodhi poshtë zërat për shtyrje të zgjedhjeve. Ai tha se kodi e ka përcaktuar qartë këtë pikë, duke lënë të përcaktuar qartë se zgjedhjet do të zhvillohen mes marsit dhe qershorit të vitit të ardhshëm. “Kushtetuta përcakton që zgjedhjet duhet të zhvillohen në periudhën zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit dhe kjo periudhë zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit, është periudha që shkon që prej datës 15 mars deri në datën 30 qershor”, - deklaroi Oerd Bylykbashi.

Topi: Pse e ktheva Kodin e ri Zgjedhor

Në dekretin e tij, kur u kthye Kodi Zgjedhor, Presidenti i vendit argumentoi se kodi i ri u kthye për shkak se prekte kompetencën për përcaktimin e datës së zgjedhjeve. “Arsyeja për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij. Kështu, neni 9, pika 2 e ligjit ka këtë formulim: “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me nenin 8 të ligjit të ardhur për shpallje. Neni 8 ka parashikuar se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore, zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”. Duke qenë që neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, atëherë periudha zgjedhore brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor. Neni 9, pika 2 e ligjit të ardhur për shpallje ka përcaktuar detyrimin e Presidentit të Republikës për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra, një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars–30 qershor”, - thuhet në argumentin e dekretit presidencial.

Dekreti i Topit do të shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve

Kodi Zgjedhor i kthyer në Kuvend nga Presidenti Bamir Topi do të shqyrtohet në Komisionin e Ligjeve. Një gjë të tillë e parashikon edhe rregulloja e Kuvendit, ku përcakton këtë komision si komisionin përkatës për të shqyrtuar dekretet e Presidentit Topi. Neni 86, pika 1 e rregullores së funksionimit të Parlamentit, parashikon që në të tilla raste dekreti i kreut të shtetit duhet të kalojë në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht. Kodin Zgjedhor e hartoi Komisioni i Posaçëm, por ai nuk funksionon më sipas afatit ligjor, çka e vendosi Komisionin e Ligjeve si të përshtatshmin. Autoriteti përgjegjës për kalimin e kodit për shqyrtim në komisionin përgjegjës, në bazë të pikës 1, të nenit 86, të rregullores së Kuvendit, është kryetarja e Kuvendit, Topalli.

Topi ftohet në “La Skala” të Milanos

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në ditën e fundit të vizitës zyrtare në Itali, vizitoi dje shtëpinë-muze të piktorit të shquar shqiptar, Ibrahim Kodra, ku pa nga afër kuadrot e ekspozuara dhe studion e punës, ku artisti i madh ka krijuar veprat e tij. Me ftesë të kryetares së Bashkisë së Milanos, Leticia Morati, kreu i shtetit shqiptar së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, ndoqën “Don Karlosin”, dramën e famshme të Shilerit, të shndërruar në një opera lirike nga kompozitori italian, Xhuzepe Verdi, e cila çeli sezonin operistik dhe të baletit 2008-‘’09 në “La Skala”. Në këtë ngjarje kulturore ishin të pranishëm pesë kryetarë shtetesh, pesë ministra të qeverisë italiane, autoritetet më të larta vendore të Milanos, zonja Veronika Berluskoni, si dhe mjaft personalitete të shquara të jetës kulturore e artistike. Për nder të krerëve të shteteve të ftuar, mes të cilëve edhe Presidenti Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe me rastin e çeljes së siparit të sezonit të ri operistik dhe të baletit në “La Skala”, kryebashkiakja Leticia Morati dha një darkë në “Pallatin Marino”, qendra e administratës civile të Milanos që nga viti 1861.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›