Spahiu: Të zbardhet proces-verbali i takimit Berisha-Samaras për kufirin detar
Kreu i Aleancës Kuq e Zi i kërkoi sot zbardhejne procesverbalit të bisedës mes Berishës dhe kreut të Partisë greke Demokracia e Re, Antonis Samaras.
Në një deklaratë për mediat, Spahiu kërkon zbardhjen përmes një interpelance të takimit të datës 12 dhjetor 2011 dhe çfarë premtimesh janë bërë në këmbim të kufirit detar.
Sot Aleanca KuqeZi ka një apel për Kuvendin e Shqipërisë, apel që Kuvendi dhe deputetët e tij të thërrasin në interpelancë kryeministrin e vendit Sali Berisha. Është momenti që Kuvendi i Shqipërisë të zbardhë përpara opinionit publik, përpara shqiptarëve detajet e takimit të kreut të ekzekutivit shqiptar me kreun e Neodemokracias së Greqisë Antoni Samaras”, thuhet në deklaratë. Në deklaratën e tij, Spahiu i referohet takimit Berisha-Samaras të zhvilluar gjatë Kongresit të Partisë Popullore Evropiane.
Spahiu përsëriti se komisioni i ngritur për hetimin e veprimtarisë së tij në krye të KLD-së është një porosi e Athinës, e cila është realizuar nga Berisha. Berisha është i kapur nga nacionalistët grekë, tha Spahiu dhe shtoi se si Thaçi, si Berisha me qëndrimet e tyre kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, janë dëshmuar antishqiptarë. “Ka ardhur koha që t’i largojmë nga shpina qeveritë antishqiptare në Tiranë e Prishtinë, – theksoi Spahiu. / G. Ndoja