Spahiu largohet nga komisioni i ligjeve

Vetëm pak minuta pasi kishte filluar mbledhja e Komisionit të Ligjeve ku do të diskutohej për proceduarën e shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu ky i fundit është larguar nga salla.
Sipas kërkesës së demokratëve, komisioni hetimor do të ketë tre javë kohë për të verifikuar shkeljet e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në ushtrimin e detyrës së tij.
Kryeministri Berisha deklaroi dy ditë më parë se nënkryetari i KLD-së Spahiu në bashkëpunim edhe me kreun e saj Bamir Topi kanë dhunuar në mënyrë flagrante kushtetutën e vendit. “Ata i kanë lejuar vetes që institucionet të cilat i janë besuar në përputhje me kushtetutën, dhe që janë institucionet më të rëndësishme të përdoren në mënyrë të papërgjegjshme për interesa strikt partiake dhe duke dhunuar rëndë këto dy institucione” ka theksuar Berisha.
Duke iu referuar nënkryetarit të KLD-së Spahiu, shefi i qeverisë theksoi se ai ka vendosur standartet më të papranueshme pasi e ka kthyer institucionin që ai drejton në një forcë politike.
Ndërkohë vetë Spahiu ka deklaruar se e konsideron gjithë këtë procedurë antikushtetuese pasi nuk vendos Kuvendi për largimin e tij nga detyra.