Spahiu: më kanë kërcënuar që të lë nismën kundër regjistrimit
DURRËS- Aleanca “Kuq e zi”, në kuadër të sensibilizimit që ka ndërmarrë në gjithë vendin për të kundërshtuar regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, ka zhvilluar ditën e djeshme një takim në qytetin e Durrësit. Në arenën e amfiteatrit antik të qytetit bregdetar kanë marrë pjesë qindra qytetarë si dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Përfaqësues të kësaj lëvizje kanë argumentuar edhe një herë se përse është i dëmshëm regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Historiani Pëllumb Xhufi është shprehur se kërkohet ndryshimi i kombësisë në mënyrë të qëllimtë, për të rritur në mënyrë fiktive numrin e popullsisë së minoritetit etnik grek, ndërkohë që në bazë të konventave ndërkombëtare, kombësia nuk mund të ndryshohet, por ajo lirisht vetëm mund të deklarohet. Për këtë arsye, është shprehur më tej Xhufi, ka synime të qarta nga qarqe të caktuara greke, njëlloj siç ishte edhe ndërtimi i një varreze masive në Kosinë të Përmetit, në mënyrë që aty të caktohet kufiri i të ashtuquajturit Vorio-Epir. Historiani Xhufi ka shtuar se në këtë vend nuk ekzistonte asnjë ushtar grek i vrarë dhe për këtë arsye u dhunuan varret e të parëve të Kosinës, për të mbushur arkat bosh të arkivoleve që erdhën nga Greqia me shpirtrat e të vdekurve ndër vite që ishin shqiptarë. Një nga drejtuesit e Aleancës “Kuq e zi’, Kreshnik Spahiu, ka bërë të ditur se “jo rastësisht kemi zgjedhur amfiteatrin antik me moshë 3000-vjeçare, sepse kombësia jonë, që ka këtë moshë, nuk mund të ndryshohet me 200 apo 300 euro në muaj. Dikush mund të thotë se a duhet ta vazhdojmë këtë sensibilizim në një periudhë që vendi është në fushatë elektorale, unë po përgjigjem se pushteti është vetë shteti, por ne duhet të bëjmë më shumë për cilësinë e këtij shteti”. Më pas Kreshnik Spahiu, nismëtari i kësaj çështjeje theksoi se gjatë kohës që ka zhvilluar aktivitetin në kuadër të kësaj kauze ka patur dhe kërkesa për ndërprerjen e saj. “Më thanë ndërprit nismën e Aleancës ‘Kuq e zi’. Por për mua më i rëndësishëm se pushteti është shteti. Cilësia e ndërtimit të shtetit nuk duhet të ndryshojë. Nuk mund të lejojmë të cenojnë simbolet tona, flamuri shqiptar nuk mund të ndotet”, theksoi Spahiu para të pranishmëve. Në takimin që është zhvilluar paraditen e djeshme kanë qenë të pranishëm edhe intelektualë nga sfera të ndryshme. Poeti Agim Doçi dhe aktori i mirënjohur Mirush Kabashi, kanë recituar vargje të poetëve të famshëm të Rilindjes, Gjergj Fishta dhe Naim Frashëri. Qytetarët e pranishëm kanë firmosur peticionin kundër regjistrimit të popullsisë që është deklaruar nga qeveria një vit më parë, ndërkohë që deri tani ky peticion është nënshkruar nga më shumë se 20 mijë qytetarë, ndërkohë që synimi është që ai të nënshkruhet nga rreth 50 mijë të tillë në gjithë vendin.