E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër infermiere të materniteti në gjyq, abuzuan dhe falsifikuan faturat e ilaçeve

SHKRUAN: Leonard Bakillari 14-04-2011 16:13

Tiranë- Tri mami dhe një ekonomiste e spitalit “Mbretëresha Geraldinë” janë akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, me pasojë vjedhjen e një sasie të konsiderueshme ilaçesh gjatë vitit 2009. Njësia “Task-Forcë” ka dërguar në gjyq dosjen me katër të pandehurat, pas një hetimi që ka zgjatur më shumë se një vit e gjysmë, kohë gjatë së cilës prokuroria argumenton se ka provuar akuzat e ngritura ndaj të pandehurave. Sipas hetimeve dhe ekspertimeve të kryera për këtë çështje, rezulton se të pandehurat kanë falsifikuar faturat e tërheqjes së ilaçeve nga farmacia e spitalit universitar obstetrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, duke shtuar sasinë e medikamenteve, të cilat nuk përfundonin në pavijone. Prokuroria thotë se të pandehurat kanë shtuar në faturat e tërheqjes së ilaçeve numra fiktivë, duke rritur kështu sasinë e ilaçeve të tërhequra për pavijonet e maternitetit, çka sipas hetimit ka shkaktuar një dëm prej rreth 7 milionë lekë në harkun kohor të tre muajve. Këto abuzime fillimisht janë konstatuar nga sektori i Financës në spitalin “Mbretëresha Geraldinë”, ku gjatë krahasimit të faturave të hyrje-daljeve të ilaçeve kanë vërejtur mospërputhje mes tyre. Menjëherë drejtori i spitalit universitar obstetrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, ka urdhëruar një inventar të plotë për këtë çështje në farmacinë e spitalit, ndërsa ka depozituar edhe kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Gjatë hetimeve, organi i akuzës ka vërejtur mospërputhje mes kopjeve të faturave që janë përdorur për tërheqjen e ilaçeve, të cilat, sipas ekspertes së pajtuar për këtë çështje, kapin vlerën prej 745 mijë e 230 lekë, pra më shumë se 7 milionë lekë të vjetra. Për këtë çështje, prokuroria ka ngarkuar me përgjegjësi ligjore ekonomisten Marije D., kryeinfermieren në repartin e Pediatrisë, Lirie Sh., kryemaminë në repartin e operacioneve të obstetrikës, Dashuri K., si dhe Vitore Zh., që dyshohet se ka kryer falsifikimin e faturave të tërheqjes së ilaçeve.

Pjesë nga dosja

Nga deklarimet e shtetaseve Vitore Zh., Marije D., Dashuri K., Lirie Sh. ka rezultuar se në mënyrë të përmbledhur procedura e tërheqjes së barnave nga farmacia për te repartet ka qenë kjo: Pasi mjekët kanë përcaktuar mjekimet që duhet të marrin pacientët, stafi i reparteve (kryemami, kryeinfermiere) përcakton llojin dhe sasinë e medikamenteve dhe materialeve mjekësore që nevojiten për t’u tërhequr në farmacinë e spitalit universitar obstetrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. Më pas, në përputhje me llogaritjen e mësipërme, në bllokun e tërheqjes së barnave, në kolonën “Sasia e Kërkuar” shënohen hollësi të llojeve dhe sasia e branave të kërkuara. Ky bllok firmoset nga kryeinfermierja dhe shefi i shërbimit. Më pas blloku dërgohet në farmaci nga kryemamia dhe lihet atje me qëllim që stafi i farmacisë të nxjerrë barnat e kërkuara. Deklaruesit thanë se kolona “sasia e dorëzuar” plotësohet nga farmacistja në përputhje me barnat që bëhen dalje nga farmacia për çdo kërkesë që është bërë.

Secila nga fletët e bllokut është në tri kopje, nga të cilat kopja e parë është origjinale, ndërsa dy kopjet e tjera janë kopjative, pra gjithçka shkruhet në kopjen origjinale pasqyrohet edhe në dy kopjet e tjera. Farmacia, pasi bën daljen e medikamenteve sipas procedurës, mban kopjen origjinale dhe kopjen e dytë, ndërsa kopjen e tretë ia jep kryemamisë që ka tërhequr barnat.

Nga kontrollet është konstatuar se në mjaft raste ka patur mospërputhje midis kopjeve të fletë-daljeve dhe barnave që ndodheshin në farmaci me kopjet përkatëse që ndodheshin në reparte. Me qëllim verifikimin e faktit nëse ka patur ose jo ndërhyrje në fletët e blloqeve të tërheqjes së barnave që ndodhen në farmaci, u vendos kryerja e ekspertimit grafik të fletëve të dyshimta. Tek fletët origjinale, në 11 blloqe të titulluara “Bllok tërheqje barnash” konstatohen ndërhyrje grafike në kolonat me emërtimin “sasi e kërkuar” dhe “sasi e dorëzuar”. Sipas ekspertit, këto ndërhyrje shfaqen në forma të ndryshme, dhe konkretisht fletët e ekspertuara kanë ndërhyrje në pesë forma të ndryshme.

Nga akti ekspertimit ka rezultuar se në fletën origjinale të bllokut të tërheqjes së barnave të datës 20 mars 2009 për repartin e pediatrisë të përpiluar nga e pandehura Lirie Sh. (kryeinfermiere në këtë repart) janë shtuar rreshtat nr. 9 (diazepam 5 ampula), 10 (shiringa 200 copë), 11 (adrenalinë 15 ampula) dhe 12 (dexemetazon 3 ampula). Kjo sasi barnash, nuk rezulton në kopjen e repartit të pediatrisë, pra nuk është tërhequr realisht për nevoja të këtij reparti. Nga akti i ekspertimit ka rezultuar se të katër këta rreshta janë plotësuar me të njëjtin shkrim që ka plotësuar edhe rreshtat 1-8, pra e pandehura Lirie Sh. E pandehura Vitore Zh. gjatë deklarimeve të dhëna ka mohuar të ketë patur ndonjë motiv për të bërë ndërhyrje në fletë-daljet e barnave mjekësore, duke theksuar në vazhdimësi se personi i cili kishte përgjegjësi materiale dhe financiare për farmacinë ishte e pandehura Marije D., se ajo bënte rekomandimet në zyrën e financës dhe repartet, ajo bënte hyrje-daljet e barnave. E pandehura Marije D., gjatë deklarimeve të dhëna në prokurori, ka kontestuar konkluzionet e grupit të inventarizimit, duke theksuar se nuk ka patur asnjë diferencë midis gjendjes faktike dhe gjendjes kontabile të barnave dhe materialeve mjekësore në farmaci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›