Infermieret u shkarkuan pas inventarit të farmacisë
Menjëherë pas problemeve të evidentuara nga sektori i financës, drejtori i spitalit universitar obstetrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” urdhëroi inventarizimin e farmacisë, ndërsa për këtë detyrë u caktua një grup i posaçëm. Në përfundim të inventarit u konstatuan probleme të shumta, ndërsa drejtuesi i institucionit urdhëroi lirimin nga detyra për dy prej personave të përfshirë në këtë skemë. Gjithashtu një prej të pandehurave u urdhërua të zhdëmtonte dëmin ekonomik të shkaktuar nga falsifikimi i faturave të hyrje-daljeve të medikamenteve mjekësore. Sipas dosjes së prokurorisë, rezulton se nga inventarizimi kanë rezultuar diferenca mangut në vlerën e 755 mijë e 351 lekë, të cilat përbëjnë një dëm ekonomik. Nga relacioni mbi kontrollin e befasishëm të kryer në farmacinë dhe reparte, ka rezultuar se janë konstatuar mospërputhje dhe korrigjime midis dokumenteve origjinale të dorëzuara në financë nga farmacia dhe kopjeve që gjendeshin nëpër reparte. Në përfundim të procesit të inventarizimit, nga ana e drejtuesit të institucionit, Halim Kosova, është nxjerrë një urdhër i brendshëm, me të cilin është ngarkuar shtetësja Marije D., që të zhdëmtojë shumën prej 492 mijë e 566 lekë, të dala mangët si dhe janë përcaktuar detyrat përkatëse për korrigjimin e të gjitha parregullsive të konstatuara. Gjithashtu, nga titullari i institucionit është nxjerrë urdhri nr. 478 datë 12.07.2009 për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës të shtetas Marije D., si dhe një urdhër tjetër me të njëjtin objekt për shtetasen Vitore Zh. Sipas relacionit të përpiluar në përfundim të inventarizimit të kryer në farmaci, janë evidentuar një sërë shkeljesh, për të cilat është vënë në dijeni edhe Prokuroria. “Gjatë periudhës së kryerjes së inventarizimit në farmaci janë sjellë nga përfaqësues të operatorëve ekonomikë kontraktues furnizime me medikamente dhe materiale konsumi mjekësor, të cilat kanë qenë bërë me hyrje më përpara, por nuk ishin gjendje faktike”- thuhet në raportin e inventarizimit të farmacisë.