E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu me të verbrit: Presidenti, i shqetësuar për dhunën te Qeveria

 

TIRANE - Presidenti i Republikës, Bamir Topi është shumë i shqetësuar në lidhje me dhunën e demonstruar haptazi ndaj njerëzve në nevojë, tha dje nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu. Zyrtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përcolli shqetësimin e Presidentit Topi në një takim të zhvilluar dje me përfaqësues të Shoqatës së të Verbërve. Ndërsa po dje, vetë biznesmeni që ushtroi dhunë publikisht ndaj të moshuarës së verbër, kërkoi ndjesë publike nëpërmjet telefonit gjatë një emisioni televiziv në "Neës 24". Në një prononcim për mediat nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë shprehu shqetësimin e Presidentit Topi, për rastin e dhunës mbi të moshuarën e verbër përpara portës së Kryeministrisë. Gjithashtu, Spahiu i garantoi këta persona se institucionet shtetërore nuk do të qëndrojnë në heshtje përballë dhunës ndaj të verbërve dhe se nga shteti do të merren hapa konkretë për garantimin e të drejtave të tyre. "Në emër të presidentit i garantova përfaqësuesve të këtij komuniteti që askush nga institucionet shtetërore nuk do të jetë i verbër përballë dhunës dhe agresivitetit që përdoret ndaj njerëzve në nevojë. Ata nuk janë njerëz që kërkojnë mëshirë, por janë njerëz që kërkojnë garantimin e të drejtave të tyre. Kryetari i shtetit si garant i Kushtetutës dhe institucioneve është në pritje dhe do të marrë hapa konkretë në lidhje me garantimin e këtyre të drejtave", tha Spahiu. Në një lidhje telefonike direkte në një emision televiziv, biznesmeni Pëllumb Borshi mohoi të kishte dijeni se të moshuarit që po protestonin përpara Kryeministrisë pak ditë më parë ishin të verbër. "Nuk e kuptova se ishin të verbra. Un isha i irrituar për problemin tim që do të shkoja të kërkoja", tha Pëllumb Borshi. Gjithashtu, ai kërkoi ndjesë në mënyrë publike. "Ju kërkoj ndjesë dhe nëse do të kem një mënyrë kompensimi për këta njerëz, po e them edhe tani publikisht që vë në dispozicion, nëse ata janë në minimumet jetike për të kompensuar me çdo gjë", tha biznesmeni. Një gjë e tillë është refuzuar nga gratë që protestonin para Kryeministrisë. Ato thanë se nuk kërkojnë lëmoshë, por vetëm garantimin dhe respektimin e të drejtave të tyre. Incidenti i dhunës ndaj të moshuarave të verbra ndodhi mesditën e të enjtes në portat e Kryeministrisë. Sadbere Mu-çmeraj po protestonte paqësisht përpara godinës qeveritare së bashku me anëtarët e tjerë të Shoqatës së të verbërve kur u godit dhunshëm në pjesën e pasme të kokës nga biznesmeni Borshi, i cili ndodhej aty pasi do hynte në zyrat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.                              ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›