E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, asnjë i dënuar nuk do të transferohet

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Kartat e identitetit

Të dënuarit që kanë paraqitur kërkesë për transferim nga një burg në tjetrin, duhet të presin përfundimin e zgjedhjeve parlamentare. Zgjedhjet kanë bllokuar çdo lëvizje në burgjet shqiptare. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Lulzim Kodra, ka deklaruar dje se për shkak të regjistrimit në lista, asnjë i dënuar nuk mund të transferohet deri më 28 qershor. Në prezantimin e drejtorit të ri të burgut 302 në kryeqytet, Kodra tha: “Kemi bllokuar transferimet dhe për një periudhë 40-ditore nuk do të këtë asnjë lëvizje. Secili i dënuar do të jetë në qendrën ku do të votojë”. Sipas burimeve mësohet se nga 5000 të dënuar deri më tani janë pajisur me karta identiteti rreth 80 për qind e tyre, ndërsa pritet që ky proces të mbyllet edhe në katër burgjet e tjera.
Emërimi
Emërohet në krye të burgut të sigurisë së lartë “Mine Peza”, (302-shi) në Tiranë Eduard Gjoni. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka prezantuar dje në ambientet e këtij institucioni kreun e ri. Ndërkohë në takimin me të dënuarit morën pjesë edhe futbollistët e ekipit të Tiranës, mes të cilëve edhe portieri Blendi Nallbani, që është po ashtu punonjës në këtë burg.
Takimi
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobbio dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve vizituan dje burgun e Fushë-Krujës me rastin e përfundimit të projektit “Mbështetje për implementimin e një programi aktivitetesh dhe masash që të mundësojë riintegrimin e të dënuarve dhe të dënuarave me heqje lirie”. Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë bënë të ditur se ky projekt u zbatua nga Agjencia Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID) në vëmendje e Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas të njëjtave burime, mësohet se projekti është bërë në kuadër të reformimit të sistemit të vuajtjes së dënimit në vend dhe ka kushtuar 210 mijë euro. Ai synon risocializimin e të dënuarve në shoqëri nëpërmjet formimit të tyre profesional dhe organizimit të aktiviteteve terapeutike.
Forcimi i mekanizmave që bëjnë të mundur rikthimin në gjirin e shoqërisë të të dënuarve nëpërmjet përpunimit të një Programi të Individualizuar Trajtimi (PIT) për ata që vuajnë dënimin dhe të një Modeli të Individualizuar Intervenimi (MII) për të paraburgosurit janë drejtimet kryesore të projektit, i cili synon të shtrihet në të gjithë sistemin penitenciar shqiptar. Ai u krye në dy institucione penitenciare, atë të Fushë-Krujës dhe Vlorës, dhe nga ai përfituan 150 të paraburgosur si dhe u trajnuan 136 persona nga Sektori Social dhe 20 nga Sektori Juridik.

Të dënuarit në kurse kompjuteri

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Agjencinë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim do të zhvillojnë kurseve formuese dhe profesionale, si : përdorimi i kompjuterit dhe mësimi i programeve bazë, gjuhë e huaj–anglisht, mekanik-saldator, zdrukthëtari, hidraulik, lulishtari, mekanik-xhenerik si dhe njohjen e tyre brenda Arsimit Profesional Shtetëror. Një ndër objektivat afatgjatë të këtij projekti në të ardhmen është koordinimi i punës për arritjen e një marrëveshjeje me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale për monitorimin e këtij projekti dhe implementimin i tij në të gjithë sistemin penitenciar shqiptar.
Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›