Zog në motor, avioni ulje të detyruar
Etleva Delia
Një prej avionëve të linjës Tiranë-Romë ka bërë ulje të detyruar në Tiranë pak minuta pasi ishte ngritur nga pista e aeroportit "Nënë Tereza". Avioni me destinacion Romën në Itali, është ngritur nga Rinasi mbrëmjen e të dielës, për t'u rikthyer sërish në pistë pas pak minutash fluturim. Nisja dhe minutat e para të fluturimit kanë qenë normale për pasagjerët, deri në momentin kur ata janë vënë në dijeni se do të riktheheshin edhe një herë në Rinas për shkak të uljes së detyruar. Ky njoftim i bërë nga piloti kryesor, duket se ka shkaktuar ankth tek 100 pasagjerët shqiptarë dhe italianë që ndodheshin në bordin e mjetit fluturues. Fillimisht është dyshuar për një defekt në motor, por menjëherë pasi avioni është ulur në aeroportin "Nënë Tereza", kontrolli ka zbuluar shkakun e problemeve në fluturim. Sipas policisë së Rinasit, është verifikuar se shkaku për avarinë e avionit ishte një zog, i cili gjatë fluturimit ka ngecur në një nga turbinat e avionit duke shkaktuar mosfunksionimin e rregullt të sistemit. Përfaqësues të kompanisë ajrore nuk e kanë pranuar të prononcohen në lidhje më këtë incident, ndërkohë që sipas burimeve nga policia mësohet se për disa orë aeroporti kaloi në gjendje gatishmërie. Sipas të dhënave policore, mësohet se avioni sapo kishte nisur fluturimin drejt Romës. Në bordin e tij ndodheshin rreth 100 pasagjerë, shumica prej tyre shqiptarë dhe disa të tjerë italianë. Anulimi i fluturimit shkaktoi panik mes pasagjerëve, por incidenti u mbyll pa shkaktuar probleme. Pas disa orësh avioni e rinisi fluturimin e programuar drejt Romës.
ULJA E DETYRUAR
Mbrëmjen e së dielës, sapo avioni i linjës Tiranë-Romë kishte nisur fluturimin, kulla e kontrollit ka marrë një sinjal nga pilotët për një avari në njërin nga motorët. Pasi janë konsultuar me inxhinierët, pilotët e "Alitalia" kanë vendosur që të riktheheshin edhe një herë në pistën e Rinasit, duke bërë ulje të detyruar. Sipas tyre njëri nga motorët nuk po funksiononte siç duhej dhe fluturimi drejt Italisë nuk dukej i sigurt nëse nuk do të kontrollohej motori. Pas urdhrit për ulje të detyruar, është njoftuar edhe policia dhe një ambulancë, në mënyrë që të ishin në gatishmëri për çfarëdolloj situate që të krijohej. Pasagjerët që ndodheshin në bord u detyruan të zbrisnin duke bërë që në radhët e tyre të përhapej panik, edhe pse shumë shpejt u sqarua situata. Pas kontrollit të motorit, i cili sipas pilotëve kishte shfaqur një defekt, u konstatua se gjithçka kishte ndodhur nga një zog, i cili gjatë fluturimit kishte ngecur në njërën nga turbinat. Problemet e vogla që kishte shkaktuar zogu në motor u riparuan brenda pak minutash nga inxhinierët e aeroportit, duke bërë që pasagjerët të riktheheshin në bord për të mbërritur shëndosh e mirë në Itali.
Rinisja e fluturimit
Menjëherë pas uljes së avionit në pistën e Rinasit, inxhinierët dhe teknikët kanë filluar kontrollin për të zbuluar shkakun e avarisë. Në përfundim të inspektimit të avionit është zbuluar shkaku i problemeve teknike dhe më pas ekspertët kanë vlerësuar se sistemi nuk kishte pësuar dëmtime. Në përfundim të inspektimit të përgjithshëm rezultoi se avioni mund të riniste fluturimin pa asnjë problem. Pas këtij konfirmimi nga specialistët, Kulla e Kontrollit ka dhënë miratimin për ngritjen e avionit në fluturim.
Kontrolli në Rinas pas uljes së avionit
Në përputhje me procedurat e Inspektimit Aeronautik, grupi i inspektorëve të Drejtorisë së Aviacionit Civil u paraqit menjëherë në vendngjarje për të kryer inspektimin dhe për të gjetur defektin që pretendohej se kishte motori. Burime nga policia, që i referohen rezultateve të grupit të teknikëve që morën në inspektim avionin, pohuan se shkak për uljen e detyruar të avionit është bërë një sinjal alarmi në kabinën e pilotit, i cili ishte ndezur pasi një zog kishte hyrë në motor.