E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Tiranës pranon gjykimin e shkurtuar për ish-zyrtarët

Gjykata e Tiranës pranon gjykimin e shkurtuar për ish-zyrtarët që u arrestuan për favorizim në tendera. Dje nisi gjykimi për ish-zyrtarin e lartë të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta Spartak Gjini dhe për të arrestuarit e tjerë. Trupi gjykues, që kryesohej nga gjyqtari Martin Deda, ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar në gjendjen siç ishin aktet në dosje. Gjini para se të arrestohej ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës, mbi të rëndoi akuza e favorizimit në tendera si dhe ajo e “korrupsionit pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Spartak Gjini u arrestua në nëntor të vitit të kaluar gjatë operacionit të koduar “Rikonstruksioni”, i cili u organizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me “Task-Forcën” në Prokurorinë e Tiranës. Gjatë këtij operacioni u arrestuan edhe shtetasit Llambi Tarka, 51 vjeç, ish-anëtar në Komisionin e Prokurimeve në Ministrinë e Punës, si dhe Fiqiri Pali, 39 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, pronari i një shoqërie me aktivitet ndërtimi. Edhe për këta të arrestuar u pranua gjykimi i shkurtuar. Sipas të dhënave hetimore dyshohet se shtetasi Spartak Gjini, në bashkëpunim me shtetasin Llambi Tarka, në këmbim të përfitimeve të paligjshme kanë paracaktuar fitues të tenderit të datës 14.09.2007 me objekt rikonstruksionin e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, firmën ndërtuese “Siret”, me pronar shtetasin Fiqiri Pali, duke detyruar firmat e tjera pjesëmarrëse të heqin dorë nga konkurrimi.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›