E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu në News24: Unë falem tek flamuri Kuq e Zi

TIRANË- Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njëherësh kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu në një intervistë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” i përgjigjet për herë të parë pyetjes se cfarë përfaqëson lëvizja Aleanca Kuq e Zi, dhe a bie ndesh angazhimi i tij si kryetar i saj, me postin e nënkryetarit të KLD-së. Spahiu komentoi se ka zgjedhur të falet tek flamuri Kuq e Zi edhe pse me këtë gjë, sic tha ai vazhdohet të spekulohet në mënyrë të turpshme.

“Akuzë e radhës me të cilën spekulohet në mënyrë të turpshme. Është angazhim qytetar, shoqëror,jo politik, janë përfshirë me mijëra njerëz. Kemi shumë besimtarë që pas orarit zyrtar dikush shkon në meshë për tu falur, dikush në xhami, unë kam zgjedhur të falem tek flamuri Kuq e Zi. Cfarë i intereson kjo politikës shqiptare?”, - tha Spahiu.

KOSOVA, SHQIPERIA TE KUSHTEZOJE MARREDHENIET ME SERBINE
Spahiu nënvizoi se Aleanca Kuq e Zi kundërshton vendimin për liberalizimin e vizave me Serbinë, në një kohë kur kjo e fundit nuk pranon ta njohë Kosovën dhe vështirëson jetën e qytetarëve në veri të saj.

Sipas kryetarit të Aleancës Kuq e Zi, Shqipëria duhet t’i kushtëzojë marrëdhëniet më Serbinë me njohjen e Kosovës dhe largimin e barrikadave nga veriu i Mitrovicës.
“Mitrovica është zemra e pasurisë kombëtare shqiptare dhe askush nuk duhet të bëjë pazare me të. Nuk duhet të gjunjëzohemi përpara diplomacisë greke dhe asaj serbe”-tha Spahiu.

SPAHIU: DREJTËSIA SHQIPTARE E KORRUPTUAR
Kreu i KLD-së  flet edhe për problemet që shqetësojnë sot drejtësinë shqiptare. Spahiu deklaroi se drejtësia shqiptare është e korruptuar, ndërsa shtoi se KLD nuk ka kompetenca për ta luftuar korrupsionin.
"Drejtësia e koruptuar sepse Shqipëria është e korruptuar. Këshilli i Lartë i Drejtësië fatkeqësisht nuk e ka kompetencën për të kontrolluar, monitoruar gjyqtarët. Merret me propozimet, transferimet e gjyqtarëve. Organi i akuzës merret me korrupsionin. Dëshiroja shumë ta kishte këtë kompetencë, por nuk e kemi”, deklaroi Spahiu.

Numri dy i KLD-së deklaroi më tej se problem për drejtësinë, mbetet edhe cështja e zyrtarëve me imunitet. “Në mes të këtij bataku kemi njerëz me imunitet, ashtu si gjyqtarët, deputetët”, tha ai.

Spahiu tha më tej se KLD e ka përmbushur misionin e saj, pasi sic tha ai “KLD i vetmi institucion që në raportin e progresit përmbushi rekomandimet e Komisionit Evropian”.
Në problemet e drejtësisë, Spahiu përmendi edhe krizën politike, e cila ka bllokuar reformat. “Konflikti mes qeverisë dhe maxhorancës ku për 2 vjet e gjysmë kanë bllokuar reformat në gjyqësor, në drejtësi. Nuk përfiton dot asnjë ndryshim, përmirësim të strukturës, apo pr/ligje”, theksoi ai.

MANDATI I JONUZIT, NE PERPUTHJE ME LIGJIN
I pyetur rreth debatit për shtyrjen e mandatit për gjyqtaren e Kolegjit Zgjedhor, Sazhenka Jonuzi, nënkryetari i KLD-së tha se akuzat për këtë çështje tregojnë trysninë dhe presionin që ushtrohet nga politika ndaj institucionit të KLD-së.

“Ndjej keqardhje që KLD-ja vendoset shpesh herë nën trysninë dhe goditjet e politikës shqiptare, si nga të majtët ashtu edhe nga të djathtët”- u shpreh Spahiu.
Sipas Spahiut, vendimi për shtyrjen e mandatit të gjyqtares Jonuzi u mor në përputhje me kodin zgjedhor, i cili është miratuar me konsensus nga opozita dhe mazhoranca.
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›