E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu për Kukalajn në krye të OSHISH: Profesionisti vjen përpara paragjykimit

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka mbrojtur emërimin e Yllka Kukalajt në drejtimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHISH), pas kritikave të ngritura publikisht nga deputeti i opozitës Bardh Spahia.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Spahiu tha se Kukalaj është zgjedhur për eksperiencën e saj profesionale në administrimin financiar dhe drejtimin e institucioneve shëndetësore.

“Pse Yllka Kukalaj? Sepse në atë detyrë nuk më duhet dikush që ta mësojë punën. Më duhet dikush që e njeh atë”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, Kukalaj është ekonomiste dhe ka drejtuar sektorin e buxhetit dhe pagave në Bashkinë e Krujës, ndërsa më pas ka drejtuar për vite Spitalin e Krujës, ku ka përballuar situata të rëndësishme, përfshirë tërmetin, pandeminë dhe procesin e rindërtimit.

“Në atë spital ishte kur ra tërmeti, kur erdhi pandemia, kur u rindërtua godina dhe aty e kam njohur në punë. Kush e ka kaluar këtë rrugë të shërbimit e di sa kushton një shtrat dhe sa kushton një pajisje.

Atyre që thonë se Yllka Kukalaj qenka “anonime” i them po, me siguri është anonime për kafenetë politike të Tiranës. Nuk është anonime për spitalin që ka drejtuar, për mijëra pacientët që janë shërbyer dhe për peshën e madhe të përgjegjësisë që ka mbajtur përsipër”, shkroi ministrja.

Spahiu hodhi poshtë edhe kritikat që e lidhin emërimin me marrëdhënie familjare, duke i cilësuar këto si një mënyrë të vjetër për të paragjykuar gratë në detyra publike.

“Për kushërirat: ka një mënyrë shumë të vjetër për t’i goditur gratë që marrin një detyrë publike. Zhduket karriera profesionale dhe fillon gjurmimi në pemën gjenealogjike. Burrave u numërohen heroizmat. Grave u numërohen kushërinjtë. Kjo nuk është mënyra ime. Yllka Kukalaj do të gjykohet për atë që bën në OSHISH, si çdo drejtues tjetër që do të emëroj. Me mua profesionisti vjen përpara paragjykimit dhe qytetari vjen përpara koncesionit. Prandaj Yllka Kukalaj në drejtim dhe prandaj edhe rishikimi i imët i një procedure të gjetur të hapur mbrapsht. Këtë metodë di. Për këtë metodë kam ardhur. Nga kjo metodë nuk heq dorë!”, deklaroi Spahiu.

Ministrja bëri të ditur se krahas emërimit të Kukalajt në krye të OSHISH është bërë edhe rishikimi i një procedure të gjetur të hapur më parë.

Reagimi i Spahiut vjen pasi Arisa Cane, administratorja e mëparshme e OSHISH, shoqërisë aksionare me pronar Ministrinë e Shëndetësisë, u shkarkua nga detyra të premten. j.p

/e.xh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›