E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja: Të arrihet kompromisi Serbi-Kosovë

Spanja dëshiron që ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrihet një zgjidhje kompromisi. Ambasadori spanjoll në Beograd, Inigo Palacio de Espana, ka thënë se shumë partnerë të Spanjës, vend që është aktualisht kryesuese e radhës e BE-së, dëshirojnë të arrihet deri tek dialogu që do të çonte drejt një zgjidhjeje të përbashkët, të zbatueshme, dhe të qëndrueshme. Në një intervistë dhënë për gazetën Blic, Espana ka thënë se Serbia mund ta fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE edhe pa "zgjidhjen definitive të çështjes së Kosovës". Megjithatë, ambasadori Espana i ka dhënë mbështetje idesë së Beogradit për të nisur një dialog me Prishtinën pas përfundimit të procesit për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Do të ishte paradoks, që Serbia e cila sipas ambasadorit spanjoll në Beograd, "angazhohet për gjetjen e zgjidhjes me anë të dialogut, të dënohet dhe të frenohet në rrugën e saj drejt integrimeve europiane". I pyetur ndërkaq se si duket axhenda e Ballkanit gjatë Presidencës spanjolle me BE-në, ambasadori de Espana ka thënë se, gjërat pritet të përcaktohen në konferencën e ministrave që është planifikuar të mbahet në muajin maj në Sarajevë, ku sipas tij, do të dihet më saktë se çfarë kanë bërë shtetet kandidate deri më tani, dhe në këtë mënyrë mund të përcaktohet harta e rrugës. Sipas tij, takim është përcaktuar të zhvillohet në Sarajevë, pasi , Bosnja është shtet kyç për stabilitetin në Ballkan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›