Spanja, barazimi i vonuar "ngrin" ekipin e Meksikës
Për pak kampionia e botës ka rrezikuar që të turpërohej. Në miqësoren kundër Meksikës, Spanja ka qenë shumë pranë humbjes. Në fakt sfida miqësore ka përfunduar në barazim 1-1, rezultat ky që e ka befasuar disi ekipin ameriko-latin, duke qenë se kanë kryesuar gjatë gjithë ndeshjes. Ka qenë çikarito Hernandez, ai që i ka dhuruar Meksikës golin e avantazhit dhe David Silva ka barazuar në minutën e 92. Spanja e ka filluar sfidën miqësore me një formacion që kërkon të shpëtojë nderin e kampionëve, duke qenë se në fushë kanë qenë tetë lojtarë që luajtën në Botëror, por vetëm 3 finalistë: Kasijas, Pyjol dhe Buskets. Mbrojtja e "Furive të Kuqe" duket se vazhdonte të ishte me pushime, pasi është ndëshkuar në minutën e 12 nga Hernandez: sulmuesi i Junajtid është gjendur i vetëm përballë Kasijas dhe ka depërtuar në portën spanjolle. Kampionët janë përpjekur që të reagonin pas golit, por duke mos bërë asgjë konkrete. I vetmi moment i pjesës së parë, që iberikasit kanë rrezikuar portën, ka qenë në minutën e 30 falë Lorentes, por pa sukses dhe falë goditjes së Kazorlës, e cila ka përfunduar në traversë. Në fushë dukej sikur Meksika po luante e vetme, madje portieri i Spanjës ka ndalur edhe njëherë Hernandez, që ka qenë mjaft pranë golit të dytë. Në fillim të pjesës së dytë, Del Boske ka vendosur të bëjë shumë zëvendësime dhe në fushë kanë zbritur Valdes, Serxho Ramos, Ksabi Alonso, David Silva dhe Jezus Navas. E gjithë pjesa e dytë nuk ka qenë aspak interesante, me përjashtim të minutës së 92 ku Spanja ka barazuar falë David Silvës. "Lojtarët e mi meritojnë notën 10 për impenjimin që kanë treguar në fushë, më pëlqeu paraqitja, pavarësisht barazimit", - ka përfunduar Del Boske.