E Diel, 1 Nëntor 2026

Debutim humbës i Blank,"gjelat" munden nga Norvegjia



Franca e Loran Blank e ka filluar me një humbje në Norvegji, por gjithsesi ka shfaqur nju lojë të bukur në fushën e gjelbër dhe kjo mund të konsiderohet si një hap gjigand përpara në krahasim me epokën e Domenekut. Një paraqitje mjaft pozitive ka bërë edhe Filip Mekses, i cili ka debutuar me fashën e kapitenit, por që nuk ka mjaftuar për t'i dhënë suksesin ekipit të "gjelave". Në miqësoren kundër Norvegjisë, kombëtarja kampione e botës në vitin 1998 nuk arriti të impononte lojën e tyre dhe po ashtu si Italia e Prandelit, të "rinjtë" e Blank debutuan me humbje. Në pjesën e parë asnjëra nga skuadrat nuk ka mundur të finalizojë ndonjë aksion, por në fillim të pjesës së dytë kanë qenë "gjelat" që kanë shkuar në avantazh. Kur kishin kaluar vetëm 3 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Ben Arfa arriti të shënonte golin e parë të miqësores. Avantazhi i francezëve nuk ka zgjatur shumë, pasi në minutën e 51 ka ardhur goli i barazimit nga Huselkep dhe vetëm 20 minuta më vonë ka qenë sërish ai që ka dyfishuar rezultatin dhe i ka dhuruar kështu fitoren Norvegjisë. Trajneri i Francës, Loran Blank, ka analizuar debutimin me humbje ndaj Kombëtares norvegjeze: "Humbja është gjithmonë diçka e shëmtuar dhe e bezdisur, - është shprehur Blank. - Mund të kishim fituar, megjithatë bëmë një paraqitje të mirë dhe në fushën e gjelbër treguam gjëra mjaft pozitive dhe interesante. Më pëlqeu shumë loja që djemtë e mi treguan dhe mendoj se ka baza për të bërë një punë mjaft të mirë dhe të vlefshme në të ardhmen. Duhet të mësojmë nga gabimet teknike, pasi goli i dytë ka qenë me të vërtetë i pafalshëm!".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›