Xherrard, 4’ për t'i shpëtuar fytyrën Anglisë
Stiven Xherrard ka udhëhequr Kombë-taren e Anglisë drejt fitores në Uembli, pasi dukej që Hungaria do ta shtynte edhe më në dështim ekipin e Fabio Kapelos, pas zhgënjimit total që kanë bërë në Botërorin e Afrikës së Jugut. Miqësorja kundër ekipit hungarez i ka shërbyer "Tre Luanëve" që të rifitojnë disi besimin e tifozëve, të cilët nuk i kanë kursyer vërshëllimat për lojtarët në fillim të ndeshjes, sidomos për Eshli Kol, Frenk Lampard dhe Xhon Terrin. Anglia e ka filluar ndeshjen me një tension të madh, por të kuptueshëm, duke pasur parasysh kritikat e ashpra që ka marrë pas humbjes së turpshme me Gjermaninë në Kupën e Botës dhe disa gabime të mbrojtjes në minutat e para kanë mjaftuar që tifozët prezentë në Uembli të tregonin edhe njëherë tjetër mospëlqimin e tyre. Por duket se presioni i spektatorëve prezentë në stadium i ka bërë mirë Xherrard dhe të tjerëve. Pas një pjesë të parë tepër emocionuese, por pa asnjë gol nga të dyja skuadrat, ka rifilluar pjesa e dytë, e cila ka qenë padyshim shumë më aktive. Kanë mjaftuar 17 minuta që hungarezët të kalonin në avantazh, edhe pse me një rrjetë mjaft të dyshimtë. Në fakt ka qenë autogol i Fil Jagielkasë në bashkëpunim me Douzon, por pavarësisht vendimit të arbitrit dukej sikur topi nuk e kishte kaluar vijën "fatale". Pavarësisht nëse ishte i rregullt apo jo ekipi i Kapelos filloi të ndjente presionin e një humbjeje të mundshme, e cila në këtë rast duket se i ka bërë mirë Kombëtares angleze, reagimi i të cilës fatmirësisht kësaj here ka qenë mjaft i shpejtë. Kapitenit të skuadrës, Stiven Xherrard, i janë dashur vetëm katër minuta për t'i dhënë fund në favor të "Tre Luanëve" sfidës miqësore me Kombëtaren hungareze. Mesfushori i Liverpulit është autori i një dopiete të mrekullueshme, që fillimisht ka barazuar rezultatin në minutën e 69, duke ia shtuar edhe më shpresat Anglisë, e cila të paktën nuk do ta përfundonte sfidën me humbje. Katër minuta më pas sërish një magji e Xherard i dhuron fitoren Anglisë, duke e shpëtuar skuadrën dhe Fabio Kapelos nga një tjetër dështim i turpshëm që do t'i kishte shtuar edhe më shumë hijet e dyshimit mbi "Tre Luanët". Ka mbetur tërësisht në hije sulmuesi i Mançester Junajtid, Uejn Runi, që përveç disa përpjekjeve të pashpresa për t'iu afruar portës, nuk ka mundur të bëjë asgjë për t'i ardhur në ndihmë ekipit. Pavarësisht "rekordit" negativ të trajnerit italian në pankinën angleze, një humbje në këtë miqësore do ta kalonte me të vërtetë kufirin e durimit.