Spanja, kampione e botës, Gjermania vendin e tretë
Në çdo botëror ka një protagonist të tij, përgjithësisht një futbollist ose një trajner, por ai i Afrikës së Jugut ka vërtet një të veçantë, që ua ka rrëmbyer skenën thuajse të gjithëve: oktapodi Paul. E shumëpritur dje në mëngjes përzgjedhja e tij e fundit, për të gjetur para kohe skuadrën e cila do të fitojë Botërorin 2010. Telekamera e gazetarë të të gjitha televizioneve të botës ishin prezentë pranë krijesës ujore në Oberhauzen, në Gjermani, për të filmuar imazhet e profecisë së re, që tashmë po bëjnë xhiron e botës me miliona klikime në internet. Profecia e oktapodit Paul erdhi: ai që do të ngrejë kupën më të lakmuar të këtij vit do të jetë Spanja. Në fakt, oktapodi Paul ka dekretuar profetikisht se “Furitë e Kuqe” do t’i mundin “Tulipanët, duke fituar Botërorin, duke ngrënë edhe midhjet në kutinë e tejdukshme me flamurin spanjoll. Molusku më i famshëm në botë sot nuk është limituar te një profeci, por ka bërë edhe një tjetër. Në fakt ka parashikuar, për kënaqësinë e bastexhinjve, që tashmë i besojnë më shumë atij se sa “bookmakers”-ve, fitoren e Gjermanisë në finalen për vendin e tretë dhe të katërt kundër Uruguait të mrekullive të Tabarez. Do të shikojmë nëse, siç ka ndodhur deri në këtë moment, oktapodi Paul ka parashikuar të vërtetën, edhe pse nuk mungojnë polemikat. Në fakt, sipas biologut peruan, Alfredo Salazar, profecitë e oktapodit Paul mund të pilotohen nga kujdestarët e akuariumit në Oberhauzen, që në kutinë transparente i hedh ushqimin më tërheqës se sa në tjetrën për të influencuar në pavetëdijen e moluskut. Por nuk kuptohet se si profecitë e oktapodit realizohen me përpikëri. Ndoshta për biologun edhe ndeshjet janë të trukuara!
#