E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja kërkon historinë, Italia premton surprizën

KIEV - Spanja dhe Italia do të zhvillojnë sot në mbrëmje betejën më të rëndësishme futbollistike të vitit. Në stadiumin “Olimpiski” të Kievit, përballë do të jenë kampionët në fuqi të Evropës dhe surpriza më e madhe e turneut, Italia e Çezare Prandelit, një skuadër e ridimensionuar dhe që luan një futboll ndryshe nga e gjithë historia e saj. E megjithatë, në Itali besojnë, megjithëse tifozët janë të kënaqur edhe me kaq. Presidenti Xhorxhio Napolitano i ka dërguar një letër urimi trajnerit Çezare Prandeli, duke e ftuar atë dhe skuadrën në pallatin presidencial ditën e hënë. Sido që të shkojë ndeshja, për të kaltërit do të ketë një pritje heronjsh, pasi ata kanë zhvilluar për çudi futbollin më të bukur të këtij Europiani. Ndeshja do të gjykohet nga portugezi Pedro Proença, një fatsjellës për të kaltërit dhe shumë i kritikuar nga mediat spanjolle. 

Spanja
Katër vitet e fundit kanë ndryshuar historinë e futbollit spanjoll. Doli në Skenë Barcelona e Pep Guardiolës, skuadra më e mirë e historisë, e aftë ta kthejë futbollin në art duke fituar 14 trofe. Pastaj ishte kombëtarja, e cila në vitin 2008, falë një ansambli të jashtëzakonshëm, fitoi Europianin e dytë që prej vitit 1964. Në 2010-tën erdhi Kupa e Botës, duke barazuar kështu rekordin e Gjermanisë në vitet ‘70. Ajo skuadër fitoi Europianin 1972 dhe Botërorin 1974, ndërsa në finalen e Euro 1976, u mund me penallti nga Çekosllovakia e Panenkës. Deri në 2008-tën, Spanja kishte fituar vetëm Europianin 1964, me një skuadër të përbërë nga Suarez e Gento. Njeriu i kthesës 4 vjet më parë quhej Luis Aragones, që e mori drejtimin e kombëtares pas largimit të Injaki Saez në fund të Euro 2004. Aragonez gjesti një skuadër të re, të mbushur me lojtarë që sot formojnë një telajo shumë pranë perfeksionit. Kishte në mesfushë emra si Ksavi e Iniesta, ndërsa veç David Silvës, futi në ekip edhe Markos Senën. Për kujtesë, njerëz si Ksabi Alonso e Fabregas qëndronin në stol. Në sulm ishte David Vija e Fernando Torres, autor i 24 golave me Atletikon, ndërsa në mbrojtje Pujol, Marçena, Kapdevila e Serxhio Ramos. Spanja fitoi Europianin duke arritur 6 fitore, një prej të cilave, më 22 qershor 2008, ndaj Italisë me penallti. Në Botërorin 2010, skuadrës iu shtua një mbrojtës i quajtur Pike dhe një mesfushor si Serxhi Buskets dhe sërish ishte perfeksion, duke mundur 1-0 Holandën në finale. Pjesa tjetër, është histori e njohur, ndërsa spanjollët sot në mbrëmje mund të tentojnë të futen në histori si skuadra e parë që fiton tre trofe të rëndësishëm radhazi, por a do t’ia arrijnë? Në Madrid besojnë, madje nuk kanë munguar edhe magjitë e njohura Vudu. 

Italia
Çezare Prandeli është shfaqur i tendosur në konferencën e mbrëmshme për shtyp, në prag të ndeshjes ndaj Spanjës. Trajneri italian e di mirë se ndaj Spanjës është një histori komplet tjetër nga ndeshja me Gjermaninë, pasi bëhet fjalë për një “klon” të Barcelonës, por pa Lionel Mesin. Mungesat e David Vijës e të Pujol ia lehtësojnë disi punët Italisë, megjithatë kjo mund të mos mjaftojë. “Spanja është skuadra për t’u mundur, - deklaroi Prandeli para gazetarëve të shumtë në Kiev. – Ata janë më të mirët, janë kampionët e botës, por në krahasim me barazimin 1-1 në Gdansk, ne jemi rritur shumë në aspektin fizik dhe kemi gjetur sigurinë që kishim humbur”, shton tekniku italian. Prandeli e ka gati “recetën” për të triumfuar ndaj kampionëve të botës: “Duhet të luajmë si me Gjermaninë, ta përgatisim ndeshjen duke parë me kujdes videot”, thotë ai. Por, Spanja nuk ka mbrojtjen e Gjermanisë dhe kësaj Prandeli duket se i druhet shumë. “Ata nuk pësojnë gol dhe këtë e thonë numrat, pasi në këtë Europian kanë pësuar vetëm një gol. Sulmuesi i tyre nuk është një individ, por loja në thellësi”, shpjegon tekniku i të kaltërve.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›