Spanja në kërkim të golit të parë ndaj Italisë!
Në Europian nuk ka arritur asnjëherë të shënojë me aksion ndaj axurrëve. Në këtë sezon, sulmi i Del Boskes me 54 gola, është në vend të 6-të në kontinent
Të jemi të ndershëm. Ky artikull është menduar për ti dhënë edhe pak moral Italisë, që nesër në Danzika do të luajë kundër kampionëve të Europës dhe të botës. E shkuara thotë se Spanja vuan, ndaj dhe skuadra e Prandelit beson. Në fund gjërat kanë ndryshuar, por pesha e historisë është aty për të kthyer pak qetësi.
ZERO GOL Në Europian Italia me Spanjën është ndeshur 3 herë dhe demat e kuq nuk kanë shënuar asnjëherë gol: 0-0 në 1980-ën në San Siro, 1-0 për axurrët (Viali) në Frankfurt 8 vjet më pas, 0-0 (me humbje me 11-metërsh) në 2008-ën në Vjenë, ndeshja që ndryshoi fatin e Spanjës futbollistike.
Nëse zgjerohet horizonti në veprimtaritë e tjera zyrtare, vijnë lajme të tjera të mirë: Spanja, mes Olimpiadës (kur nuk kishin filluar formacionet e të rinjve), Europianit dhe Botërorit, i ka mundur axurrët vetëm në vitin 1920, në Anversë të Belgjikës. Që atëherë, 92 vjet më pas, 4 barazime dhe 5 fitore të Italisë.
MË PAK GOLA Ka një të dhënë tjetër që mund të sjellë një optimizëm të kujdesshëm: Spanja paraqitet në Poloni me sulmin e 6-të më të mirë të Europianit nëse konsiderohen golat e shënuar në sezonin e sapo mbyllur të sulmuesve të saj. Në total janë: 54: 29 të Lorentes, 14 të Negredos dhe 11 të Torresit. Në Afrikën e Jugut, Spanja arriti me 72 gola (28 Vila, 22 Lorente dhe Torres), në Austri dhe Zvicër me 84 (33 Torres, 22 Vila, 29 Giza). Në këtë Europian, Hoanda ka 117, Portugalia 82 (60-të të Ronaldos…), Gjermania 75.
Italia? 62, nëse konsiderohet Baloteli (17), Xhovinko (16) dhe Di Natale (29), 44 nëse zëvendësohet i dyti me titullarin Kasano, i cili pas dëmtimit të gjatë, e mbylli sezonin me 4 gola. David Vila, i pazëvendësueshëm sipas Del Boskes, ka shënuar 5 nga 7 gola në 7 ndeshjet e Spanjës në Botërorin e Afrikës së Jugut.
SHUMË MINUTA Pak optimizëm më shumë për skuadrën e Prandelit. Shtypi spanjoll shkruan se 23 lojtarët e grumbulluar nga Del Boske në sezonin e sapo mbyllur, kanë regjistruar 89.884 minuta lojë, me 13 futbollistë për më shumë se 4.000 minuta. Më shumë nga të gjithë: Franca është me 87.270, Gjermania me 84.868, Italia me 72.953, me vetëm 3 lojtarë, De Sanktis, Noçerino dhe Pirlo, mbi kuotën 4.000.
Që ajo e Del Boskes është një kombëtare që vjen në Europian me nofkën e favorites, është e dukshme. Deri këtu lajme të mira. Por spanjollët luajnë shumë, sepse synojnë të fitojnë shumë. Sipas asaj që shkruan e përditshmja Marca, 23 futbollistët e Del Boskes (dhe vetëm 3 janë më shumë se 30 vjeç), në karrierë kanë fituar 210 tituj, përpara portugezëve (151) dhe holandezëve (126).
Ksavi e Injesta kanë nga 23 për kokë, i vetmi që nuk ka fituar akoma një trofe, është Jordi Alba. Italia në këtë renditje është e 11-ta me 64 trofe (12 për Pirlon, 11 për Tiago Motën e Bufonin), me 9 lojtarë që nuk kanë fituar akoma një kupë.
