E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja ne prag te falimentimit

Spanja nuk ka para në arkë për të paguar shërbimet publike dhe nëse BQE nuk do të kishte blerë bonot qeveritare, vendi do të kishte falimentuar. Kështu ka afirmuar ministri i financave spanjolle Cristobal Montoro, në parlamentin e Madridit gjatë diskutimit të ligjit për manovrën e shkurtimeve me 65 miliardë euro në dy vjet të shpenzimeve publike, e aprovuar nga qeveria e Rajoy. Për ministrin spanjoll vendi po vuan një recesion të dytë pas atij të 2009 dhe duhet të përballojë vështirësi të mëdha me një deficit në nivele rekord. Kryefinancieri Montoro në debatin parlamentar ka njoftuar se pa një rritje të TVSH paga e punonjësve publikë ishte në rrezik.
Gjithsesi ministri ka mbrojtur planin e kursimeve të propozuar nga qeevria e tij duke thënë se Spanja duhet të dalë nga kriza që ka përfshirë eurozonën.

Ndërkohë nga Brukseli zëdhënësi i Komisionit Europian ka sqaruar se shuma prej 100 miliardë eurosh që eurozona ka rënë dakord të japë për Spanjën është vetëm për rikapitalizim të bankave dhe jo për ndonjë përdorim tjetër të mundshëm si ndërhyrje në tregun e bonove.

“Nuk ka asnjë lidhje mes ndihmës financiare të destinuar për rikapitalizimin e sektorit bankar spanjoll dhe mbështejteve të tjera financiare që mund të kërkohen në një moment të mëtejshmëm nga Spanja apo ndonjë vend tjetër i Eurozonës” – ka thënë zëdhënësi i KE-së.

Nga ana tjetër ministri i financave gjermane Volfgang Schaueble, i ka kërkuar Bundestagut të votojë në favor të një injeksioni bankar spanjoll, duke thënë se shfaqja e një kërcënimi ndaj aftësisve paguese të borxhit spanjoll nga ana e qeverisë së saj mund të rrezikojë të gjithë Eurozonën.
“Edhe vetëm shfaqja e ndonjë kërcënim mbi qëndrueshmërinë e aftësive paguese të shtetit spanjoll mund të cojë në rritjen e efekteve ngjitëse në zonën euro. Prandaj problemet në sektorin bankar spanjoll janë një problem për stabilitetin financiar të Eurozonës”- deklaroi Schaueble.
Qeveria gjermane ka një interes të madh për të ndihmuar spanjën për të ndjekur rrugën e saj premtuese në drejtim të reformave themelore ekonomike dhe financiare, ka thënë ministri gjerman.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›