E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja, një fitore spektakolare

Spanja fiton 4-1 përballë Rusisë, duke u konfirmuar si një prej favoriteve për triumfin në Austri dhe Zvicër. Sulmuesi i Valencias, David Vija, ishte protagonisti kryesor, me tre gola të realizuar në Evropianin e tij të parë. "La Furia Roja" e ka filluar aventurën e saj në Grupin D në stadiumin "Tivoli Neu" përballë skuadrës së Gus Hidink, në kompeticionin ku do të kërkojnë të fitojnë titullin e parë evropian që prej vitit të largët 1964, kur mposhtën në finale ish-Bashkimin Sovjetik. Në një skuadër të mbushur me yje, Luis Aragones lë jashtë formacionit titullar Çesk Fabregas, duke preferuar Markos Senan. Nga ana tjetër, skuadra e Hidink vjen në këtë sfidë pa sulmuesit Pogrebnjak (i dëmtuar) dhe Arashvin (i pezulluar). Për këtë arsye, tekniku holandez ka hedhur një formacion më shumë difensiv, me Pavluçenkon të vetëm në sulm.

Spanja fillon lojën me shpresën se do të përsëritet arritja e katër viteve më parë, kur në ndeshjen hapëse të Euro 2004 mposhtnin rusët me golin e shënuar nga Huan Karlos Valeron. Megjithatë, ndryshe nga sa mendohej, janë të besuarit e Hidink ata që kanë fjalën e parë në lojë: me vertikalizime të shpejta rusët vënë në vështirësi mbrojtjen spanjolle, por pa arritur të rrezikojnë portën. Momenti i parë i rrezikshëm vjen nga goditje dënimi, por mbrojtja neutralizon rrëmujën në zonën e Iker Kasiljas. Spanjollët reagojnë me Fernando Torres, që tenton nga jashtë zonës, por topi prek vetëm rrjetën e jashtme të portës së Akinfev. "Gardiani" tregohet i vëmendshëm edhe pak çaste më vonë, në gjuajtjen e mesfushorit të krahut të djathtë, David Silva. Iberikët kalojnë në avantazh në të 20-n, kur pas një shkëputjeje të bukur nga e majta, Fernando Torres pason te David Vija, që me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë të shënojë. Sulmuesi i kërkuar nga gjysma e klubeve të mëdha në kontinent realizon golin e tij të parë në një Evropian (në fakt kjo është hera e parë që merr pjesë në këtë eveniment) dhe rrjetën numër 15 në 32 ndeshje me kombëtaren. Reagimi i rusëve është i menjëhershëm, por Pavliçenko është i pafat, pasi topi i gjuajtur prej tij godet shtyllën. Goli ka shërbyer për të hapur disi skuadrat dhe nga situata e krijuar përfiton Spanja, që me lojën e shpejtë mund të shfrytëzojë hapësirat e kundërshtarëve. Deri në sekondat e fundit të pjesës së parë Torres (tre herë) dhe Vija (dy herë) kanë shansin të dyfishojnë shifrat, pa mundur të gjejnë rrjetën. Skuadra e Aragones nuk duket e shqetësuar në lojën e saj dhe konfirmon formën e mirë të 18 muajve të fundit, ku nuk pësojnë asnjë humbje. Megjithatë, në momentin kur dukej se pushimi mes pjesëve do ta ndërpriste sfidën në avantazhin minimal të spanjollëve, ka ardhur edhe goli i dytë i David Vijës: Iniesta gjen një korridor të përsosur dhe sulmuesi nuk gabon i vetëm me Akinfev. Fraksioni i dytë i lojës fillon me "La Furia Roja", që dukej e sigurt për marrjen e tri pikëve. Hidink përpiqet të ndryshojë në skuadër, por tentativa e Bistrov nuk shërben për asgjë përballë dominimit absolut të spanjollëve. Pas disa tentativave nga David Silva dhe David Vija, vjen edhe goli i tretë që mban firmën e këtij të fundit. Në të 75-n, ai bën gjithçka mirë, duke dribluar një kundërshtar dhe realizuar "hattrick" dhe mbyllur virtualisht sfidën. Rusia shënon golin e nderit me Pavliçenkon, që 4 minuta përpara fundit të lojës devijon saktësisht me kokë drejt rrjetës pas një goditjeje këndi: ai prish ecurinë pozitive të spanjollëve, që pas 13 ndeshjeve pësojnë gol. Rezultati final vuloset nga Fabregas, që në sekondat shtesë mposht për të katërtën herë portierin Akinfev.

Nordikët fitojnë 2-0 përballë lojës së dobët të kampionëve në fuqi të Kampionatit Evropian

Suedia zbret Greqinë nga "Olimpi"

Përfaqësuesja e Suedisë ka shkruar emrin e saj si një pretendente për kualifikimin në çerekfinalet e EURO 2008, duke mundur 2-0 Greqinë, kampione e Evropës në fuqi. Skuadra e drejtuar nga Lars Lagerbak ka përfituar nga pavëmendjet e kampionëve në pjesën e dytë të takimit, duke marrë tri pikët e para të këtij turneu.

Ndeshja nuk ka qenë e një ritmi të lartë, edhe pse suedezët kanë kontrolluar lojën në minutat e para, duke përfituar nga skema mbrojtëse e ekipit grek. Larson dhe Ibrahimoviç provojnë në të gjitha mënyrat të çajnë në prapavijën greke, por pa sukses, pasi Rehagel udhëzon të tijtë të mbulojnë dy sulmuesit e rrezikshëm në çdo cep të fushës. Si rrjedhojë, për të parë një gjuajtje të mirëfilltë në portë duhet pritur minuta e 33-të kur Ibrahimoviç me kokë provon të gjejë rrugën e rrjetës, por topi përfundon mbi traversë. Kundërpërgjigja e grekëve vjen me anë të Basinas, por gjuajtja e tij nga jashtë zonës grushtohet nga Isakson.

Pjesa e dytë flet më shumë për skuadrën greke, e cila zhvendos lojën në gjysmëfushën kundërshtare. Por Haristeas dhe Gekas e kanë të vështirë të gjuajnë në kuadrat dhe rreziqet e vetme për Isakson vijnë nga goditjet standarde. Suedia përfiton nga pakujdesitë e kundërshtarëve dhe në minutën e 67-të gjen golin e avantazhit me anë të Ibrahimovic. Sulmuesi i Interit tregon klasin e tij, kur pas një kombinimi në krahun e djathtë lëshon një predhë të pakapshme për Nikopolidhis, me topin që ndalet në trekëndëshin e portës greke. Grekët përfshihen nga kaosi dhe Suedia përfiton duke shënuar edhe golin e dytë me Hanson në minutën e 72-të, pas një rrëmuje në zonë, ku mbrojtja greke dhe Nikopolidhis nuk arrijnë të largojnë topin. Pavarësisht tentativave të grekëve për të shkurtuar diferencën, asgjë nuk ndryshon dhe Suedia merr tri pikët e para në EURO 2008.

GRUPI D

Spanjë 3 1 1 0 0 4-1

Suedi 3 1 1 0 0 2-0

Greqi 0 1 0 0 1 0-2

Rusi 0 1 0 0 1 1-4

NDESHJET

10 qershor

Spanjë-Rusi 4-1

Greqi-Suedi 0-2

14 qershor

Suedi-Spanjë 18:00

Greqi-Rusi 20:45

18 qershor

Greqi-Spanjë 20:45

Rusi-Suedi 20:45



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›