Pranga 4 shqiptarëve, iu kapën 30 kg heroinë
Karabinierët në Bolonja arrestuan dje në flagrancë katër shqiptarë, si dhe sekuestruan plot 30 kilogramë heroinë që vinte nga Turqia. Lënda narkotike, sipas raportit të mediave italiane, që u referohen burimeve zyrtare të policisë, kishte destinacion veriun e Italisë dhe ishte fshehur në bidonë plastikë. Vlera e heroinës arrin deri në 2 milionë euro. Mediat e shteti fqinj raportojnë se bandën shqiptare të trafikut të drogës e ka zbuluar një mikrokamera e fshehur mes degëve të një peme. Kamera ushqehej nga një bateri makine dhe ishte e lidhur me një transmetues që dërgonte imazhet në kohë reale në polici. Pas kësaj, policia ka vënë në pranga tre burra dhe 1 grua, të gjithë shqiptarë. Droga, që u zbulua nga telekamerat, ndodhej afër linjës hekurudhore në fushat e San Giovanni-t, në Persiceto. Nën tokë, brenda bidonëve plastikë ishin fshehur dy ngarkesa me heroinë, rreth 30 kg, me prejardhje nga Turqia, si dhe një sasi e vogël kokaine. Mediat italiane raportojnë se hetimi kishte nisur disa javë më parë, sapo një qytetar kishte sinjalizuar në Komisariatin e San Giovanni-t. Falë operacionit “Men at work” (“Burrat në punë”) u vunë në pranga duke zbuluar drogën në pyll shqiptarët Enis çela dhe Elton Bajrami, përkatësisht 30 dhe 29 vjeç, të dy me precedentë penalë, si edhe Dashamir Sula, 35 vjeç dhe Romina Buzi, 20 vjeçe. Këta të fundit u ndaluan në dy banesa në Bolonjë, të cilat konsiderohen si baza ku operonte banda. Në apartamente janë sekuestruar dhe materiale të ndryshme për përgatitjen e dozave të drogës, mes të cilave dy presa hidraulike për të paketuar lëndën narkotike, si dhe rreth 5000 euro e disa telefona. Të arrestuarit do të hetohen për mbajtje dhe shpërndarje të lëndës narkotike. Heroina e sekuestruar kap vlerën e 2 milionë eurove. Sipas hetuesve, droga kishte destinacion zonën e veriut të Italisë.
#