Spanja, tri pikë për kreun, feston edhe Kili
Spanjës i kanë mjaftuar 13 minuta futboll të madh për t’i dhënë fund formalitetit Kili dhe të fluturojë në 1/8 e Kupës së Botës 2010. Me fitoren 2-1 të regjistruar në mbrëmjen e djeshme, “Furia e Kuqe” tregoi se humbja në sfidën e parë me Zvicrën ishte thjesht një rastësi fatkeqe. Skuadra e drejtuar nga Del Boske ka bërë që kundërshtarët të qëndronin për pjesën më të madhe të ndeshjes si spektatorë, por nuk munguan as momentet e shpërqendrimit, duke u dhënë shansin kilianëve që ta rihapnin ndeshjen. Ndeshja kundër përfaqësueses së Marselo Bielsas u zhbllokua në minutën e 24-t nga David Vija, që shfrytëzoi daljen e gabuar të Bravos dhe me një gjuajtje nga distancë e largët përshëndeti rrjetën. Sfida u mbyll virtualisht në minutën e 37-të: Iniesta dërgoi me finesë në rrjetë një asist të Vijës, pas një sulmi të shpejtë të spanjollëve, ndërsa pak sekonda më vonë gjyqtari Rodriguez largoi nga fusha me karton të kuq Estradën, për një faull ndaj Fernando Torres gjatë aksionit të golit. Një ndëshkim ndoshta i ekzagjeruar, por që gjithsesi nuk e demoralizoi Kilin. Në fakt, në fillimin e fraksionit të dytë të lojës, i sapofuturi në fushë, Milar, ngushtoi diferencën, pasi gjuajtja e tij u devijua nga Pike. Skuadra e Bielsas mori zemër nga kjo rrjetë, megjithatë, pas lajmeve që vinin nga sfida Zvicër-Honduras, ata u përqendruan më tepër te mbrojtja, për të mos pësuar golin që mund t’i eliminonte nga Kupa e Botës. Gjithsesi, shqetësimi i tyre ka qenë “i tepruar”, pasi helvetikët nuk arritën të marrin më shumë se barazimi 0-0 përballë Hondurasit, një rezultat që i dërgon të dyja skuadrat në shtëpi.
Me fitoren 2-1, Spanja fiton Grupin H dhe tashmë do të luajë në 1/8 në derbin iberik përballë Portugalisë. Një sfidë mes dy fqinjëve, por që janë dy shkolla të ndryshme futbolli. Megjithatë, “Furia e Kuqe” duhet të jetë e lumtur që evitoi duelin e titanëve me Brazilin. “Seleçao” e Dungës do të luajë me Kilin, në një ndeshje ku nisen dukshëm në avantazh.
#