Portugali-Brazil, pa shou. Fitore e kotë e Drogba&Co
Portugali-Brazil duhej të ishte një ndeshje mes “dashnorësh” të futbollit, por u mbyll me një barazim 0-0, praktikisht të privuar nga emocionet, ndër më të shëmtuarit e Botërorit. Të dyja e kishin kualifikimin në xhep (skuadra e Kueiroz jo matematikisht, por thuajse) dhe fatet e paqarta të Spanjës (rivalit të mundshëm të të dyjave në 1/8-at) ka bërë të mungojë shpirti për të fituar. Të pakta rastet për gol: në një pjesë të parë më se nervoze (një karton i kuq nuk iu dha Huanit) bie në sy shtylla e Nilmar. Në të dytën, Brazili ishte me mendjen diku tjetër, ndërsa Portugalia i shkon pranë avantazhit me Meireles. Rezultati? Fërshëllima për të gjithë, Brazili, i pari i grupit G dhe Portugalia e dyta.
Ishin njerëzit e Dungës ata që mbajtën në dorë fatet e lojës në 45 minutat e para, por Portugalia ishte e kujdesshme në mbrojtje dhe gjithnjë gati në kundërsulm, mbi të gjitha falë inkursioneve në krahun e majtë nga Koentrao. Te Seleçao më i rrezikshmi është sigurisht Nilmar, që i shkon pranë golin rreth minutës së 30: kros i Felipe Melos dhe goditje e tij, Edoardo e prek topin që prek shtyllën. Pak më parë, Huan kishte rrezikuar t’i krijojë probleme serioze Brazilit. Në një kundërsulm portugez me Kristiano Ronaldon, mbrojtësi i Romës vendos ta ndalojë topin me dorë. Të gjithë presin kartonin e kuq, por Arkundia zgjedh të verdhin. U panë edhe disa faulle të ashpra, pasi ndeshja u bë shumë nervoze dhe e vështirë për t’u menaxhuar. 7 kartonë vetëm në pjesën e parë. Dunga detyrohet të heqë nga fusha Felipe Melo. Përveç shtyllës dhe goditjes me kokë të Luis Fabionaos, nuk kishte raste të tjera në pjesën e parë, përjashto ndonjë goditje nga distanca e Kristiano Ronaldos, që nuk dukej në formë për të bërë ndonjë gjë të bukur. Në të dytën zhduket gjithë nervozizmi, por zhduket edhe loja e Brazilit. Në minutat e para, Portugalia kërkon të përfitojë: kroset e Ronaldos vënë në provë Lusion e Huanin, të cilët bëjnë punë të mirë. Luzitanët ndryshojnë modul në 4-3-3. Në minutën e 15 vjen rasti më i mirë: Kristiano Ronaldo hyn në zonë me topin në këmbë nga e djathta, Lusio ia largon sferën, që shkon direkt te Meireles vetëm një hap larg portës. Zhulio Sesar del dhe devijon jashtë gjuajtjen e tij. Për 30 minuta nuk ka asgjë. Ritmi bie, lojtarët nuk luftojnë më. Të vetmet drithërima nga tribunat, ku filluan të vinin fërshëllimat e para: në minutën e 46 Ramirez provon me një gjuajtje nga jashtë dhe Edoardo, shumë i dalë para, e devijon në goditje këndi; 3 minuta më pas Dany përplaset me Zhulio Sesar, ndërsa Lusio e prek topin me krah. Për gjyqtarin është gjithçka e rregullt. Përfundon 0-0, të gjithë të kënaqur në fushë, të gjithë të mërzitur jashtë.
Në ndeshjen tjetër, mund të thuash se Drogba me shokë kishin dhënë përshtypjen se mund t’ia dilnin. Në avantazh 2-0 pas 20 minutash, fizikisht dinjitoze dhe shumë superiorë teknikisht në krahasim me Korenë e Veriut. Afrikanët dukeshin të aftë t’i përgjigjeshin goleadës së Portugalisë në ndeshjen e kaluar. Në këtë mënyrë, një fitore eventuale e Brazilit ndaj portugezëve, mund të rihapte dyert e kualifikimit. Por në momentin më të bukur, skuadra e Sven Goran Erikson filloi të pësonte rënie, e cila në pjesën e dytë u bë më evidente. Ndeshja u mbyll 3-0 për Bregun e Fildishtë, me golat e Jaja Ture e Romarik dhe Kalu. Por mund të kishin shënuar më shumë, ndërkohë që Koreja ka rrezikuar disa herë me sulmuesin Jong Tae Se, që u treguar zemërgjerë në disa tentativa të tij. Në fund, Bregu i Fildishtë mori një fitore të kotë dhe së bashku me Korenë i tha lamtumirë Botërorit.
#