E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanjë, 12 klube të zhytura në borxhe

Kriza financiare 3300 milionë euro borxhe në total, Kserez dhe Majorka rrezikojnë të falimentojnë

Pas krizës ekonomike që goditi rëndë Premiershipin anglez, duket se tashmë është radha e La Ligas spanjolle: arsyeja e vërtetë pas kërcënimit të Shoqatës së Futbollistëve (AFE) për grevë në ndeshjet e 11 prillit (kur është parashikuar të zhvillohej supersfida Real-Barcelona), është se plot 12 klube janë gati të plotësojnë aplikimin “Ley Concursal”, pra të kryejnë praktikat për faliment. Situata ekonomike është e frikshme: vetëm 15 për qind e klubeve janë të rregullt me pagesat e lojtarëve, ndërsa borxhet e Ligas dhe Segunda Division (Kategoria Dytë) kapin shifrën e afro 3300 milionë eurove. Pritet një marrëveshje ndërmjet Ligës dhe Federatës Iberike, që do t’i detyrojë klubet të paguajnë rrogat, në të kundërt greva duket e pashmangshme.

Klubet që ndodhen më shumë në vështirësi janë Kserez dhe Majorka: plotësimi i “Ley Concursal” duket praktikisht i paevitueshëm. Ndërkohë, në Spanjë ka edhe debat për shpërndarjen e fondeve nga e drejta televizive. 13 klube të ligave më të ulëta kanë kërcënuar se do të heqin dorë nga e drejta TV, nëse klubet e mëdha nuk pranojnë negocimin e përbashkët. Ndër të tjera, nuk mund të realizohet as projekti që klubet e futbollit të paguajnë vetëm gjysmat e borxheve: në fakt, Liga e Futbollit ka bërë të ditur se nuk mund të garantojë asnjë mbështetje financiare.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›