Fabregas rrezikon Botërorin 2010, mjekët dyshojnë frakturë në kërci
Mbrëmja në “Emirates Stadium” ka qenë mjaft dramatike për Arsenalin. “Topçinjtë” vazhdojnë të shpresojnë te kualifikimi në gjysmëfinalet e Champions, duke arritur të barazojnë dy golat e shënuar nga Barcelona, megjithatë ata duhet të bëjnë llogaritë me dëmtimet e Galas dhe Fabregas. Trajneri Arsen Venger nuk do t’i ketë në dispozicion dy lojtarët për takimin e kthimit në “Kamp Nou”. çesk Fabregas e kishte të sigurt mungesën, për shkak të pezullimit me kartonë, por me dëmtimin serioz që ka pësuar, tashmë lojtari rrezikon edhe prezencën në Kupën e Botës 2010. Dyshohet se kapiteni ka pësuar një frakturë në kërcirin e këmbës së djathtë, në momentin kur ekzekutoi penalltinë e golit të dytë të vendasve. Mesfushori doli nga loja duke çaluar. Ndërkohë, gazetat spanjolle nuk e kanë fshehur shqetësimin për yllin katalan të Arsenalit: “I trembem një dëmtimi shumë të rëndë, më duket sikur kam thyer diçka”, ishin fjalët e Fabregas në përfundim të takimit. Lajmi për një frakturë të mundshme në kërci u dha nga “El Periodico de Catalunya”, e cila theksonte se problemi erdhi si pasojë e goditjes me “zemërim” të 11-metërshit nga 22-vjeçari. “Mendoj se sezoni im ka përfunduar”, shtoi lojtari i dëshpëruar, ndërsa dukej gati për të qarë. “Duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të thonë mjekët pas vizitave. Shpresoj që të luaj sërish gjatë këtij sezoni me fanellën e Arsenalit”. Edhe trajneri Venger duket pesimist për rikuperimin e shpejtë të mesfushorit: “Mendoj se çesk nuk do të jetë në gjendje të luajë deri në fund të edicionit. Pas këtij dëmtimi, duket se sezoni i tij ka përfunduar”.
Drejtuesi i stolit të londinezëve konfirmoi se mbrojtësi Uilliam Galas ka një tërheqje muskulore në pulpë. Duke vlerësuar edhe moshën e francezit, mendohet se ai do të jetë i gatshëm për të luajtur vetëm në ndeshjet e fundit të sezonit. “Rrezikuam duke e kthyer në fushë pas tetë ndeshjesh mungesë, por dëmtimi i tij në pulpë u përkeqësua. Sezoni i Galas është kompromentuar, megjithatë jam i bindur se do të rehabilitohet në kohë për të luajtur në Botërorin e Afrikës së Jugut”, përfundoi Venger.
#