Spanjë-Itali, statistikat flasin për italianët

Statistikat për përplasjet mes skuadrës së Spanjës dhe Italisë janë në anën e të kaltërve. Ata janë ndeshur 30 herë me njëra-tjetrën, duke përfshirë këtu edhe përballjet miqësore ndërsa bilanci flet në favor të të kaltërve, të cilët kanë mundur të fitojnë 10 herë ndërsa spanjollët 8, ndërsa 11 takime kanë përfunduar në barazim.
Në stadiumin “Olimpik të Kievit” do të jetë hera e katërt që ekipet përplasen në fazat e një kompeticioni të tillë. Në Europianin e vitit 1980, i cili u zhvillua në Itali, ndeshja përfundoi 0-0, kurse në Euro 1988 Italia arriti të fitonte 1-0 falë një goli të shënuar nga Gianluca Vialli.
Para katër vitesh në çerekfinalen e vitit 2008 në Viene skuadra e Aragonës eliminoi atë të Donadonit pas goditjeve nga pika e bardhë, pasi në 120 minuta lojë asnjë nga ekipet nuk arriti të shënonte. Takimi i fundit Itali-Spanjë përpara Euro 2012 është miqësorja e vitit 2011 në stadiumin “San Nicola” në Bari, ku Motolivo dhe Aquilani i dhanë fitoren të kaltërve duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-1.Një nga përballjet më të bukura është çerekfinalja e Botërorit të vitit 1994 në SHBA, ku Italia e drejtuar atëherë nga Arrigo Sacchi triumfoi 2-1 falë një goli të Roberto Baggios në minutat e fundit të takimit.