E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjë, një qytet i provincës ilegalizon perçen



Në Spanjë është hedhur hapi i parë i ndalimit të mbulesave të femrave në ambiente publike. Qyteti katalan i Lleidas është bërë e para komunë e Spanjës që ndalon mbajtjen e mbulesave islame që mbulojnë plotësisht fytyrën e grave, si burka ose niqabi, në ndërtesat komunale. Lajmi u njoftua nga e përditshmja La Vanguardia në botimin e saj elektronik.
Siç ishte parashikuar, seanca plenare e Bashkisë së qytetit aprovoi mëngjesin e së premtes me 23 vota në favor, një kundër dhe dy abstenime, ndryshimin e rregullores bashkiake për të ndaluar mbajtjen e mbulesave të plota në të gjitha ndërtesat administrative të Bashkisë.
Veç faktit se është masa e parë e këtij lloji në Spanjë, vendimi është kundërshtuar edhe nga "Generalitat de Catalunya", qeverisja rajonale e drejtuar nga socialistët, që beson se një masë e tillë është jo e barabartë.
Pasi u përball me një raport juridik negativ, propozimi arriti vetëm ta ndalojë përdorimin e mbulesës së plotë islame vetëm në ndërtesat komunale dhe jo në të gjitha ndërtesat publike të komunës, siç ishte parashikuar në fillim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›