E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjë, shpërthejnë dy bomba nuk ka viktima

 

Dy bomba kanë shpërthyer në pasditen e djeshme në një restorant në Palma të Majorkës në Spanjë. Por për fat të mirë mësohet se nuk ka pasur viktima. Sipas mediave spanjolle bombat e vendosura në ambiente turistike nuk kanë shkaktuar viktima, pasi policia ka arritur të evakuoje njerëzit pas një telefonate anonime paralajmëruese. Deri më tani autoritetet e rendit nuk kanë dhënë asnjë njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje. Një zëdhënës i autoriteteve qeverisëse rajonale baske në Spanjë ka konfirmuar lajmin e përhapur për një telefonatë nga ETA, e cila paralajmëronte për tre shpërthime me bombë brenda datës 18 gusht.
Telefonata paralajmëronte se në Palma de Majorka ishin vendosur një ose më shumë bomba. Ajo ishte kryer nga një numër telefoni i një shoqërie shërbimi taksi. Sipas agjencisë "Europa Press" tre bombat janë vendosur në ambiente turistike në Majorca dhe që të tria duhet të shpërthejnë brenda datës 18 të këtij muaji. Megjithë deklarimet e shtypit dhe zëdhënësit të qeverisë rajonale baske, zyrtarë të pushtetit qendror dhe autoritetet e rendit akoma nuk e kanë konfirmuar lajmin për ekzistencën e tre bombave apo për marrjen e një telefonate nga grupi separatist bask ETA.
ETA ka marrë përsipër disa atentate, mes të cilëve edhe dy që i kanë kushtuar jetën dy agjentëve të Rojeve Civile dhe një inspektori të policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›