Shaqiri: Nëse vazhdojnë bastisjet do rikrijohet ish-UÇK
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, Xhezair Shaqiri deklaron që faktori politik shqiptar në qeveri duhet të ngrejë zërin për të ndërprerë aksionet e policisë ose t'i përkrahë hapur ato. "Kërkojmë nga subjekti politik shqiptar në qeveri BDI dhe personalisht nga Ali Ahmeti që të distancohet ose t'i përkrahë publikisht aksionet e tilla. Nëse vazhdojnë kështu ne do të urdhërojmë riorganizimin e UÇK-së për të mbrojtur popullin shqiptar", theksoi Xhezair Shaqiri. Sipas tij, bastisjet dhe arrestimet e ish-ushtarëve të UÇK-së kanë indinjuar të gjithë ish-ushtarët dhe popullin shqiptar. "Prandaj reagojmë ashpër ndaj qeverisë dhe tandemit Gruevski-Mijalkov, që të ndërpresin sulmet e tilla sepse kanë tejkaluar vijën e kuqe të durimit. Për herë të fundit kërkojmë nga faktori ndërkombëtar që të ndërhyjë me të vetmin qëllim ruajtjen e paqes", shprehet ish-deputeti i Partisë Demokratike Kombëtare, i cili vazhdon të qëndrojë në fshatin Tanushë, për shkak të fletëarrestit të autoriteteve maqedonase për një vepër penale të kryer pas konfliktit të vitit 2001, për të cilën ai deklaron se është i pafajshëm.