E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjollja që magjepsi Fidel Kastron

Pesëdhjetë vjet më vonë del në dritë një histori dashurie e panjohur më parë, e joshësit të femrave Fidel Kastro, i cili sot është 82 vjeç. Lidhja e fshehtë është treguar nga vetë protagonistja, shkrimtarja spanjolle Isabel Kostancio, e cila ka emigruar në Meksikë dhe duhet të jetë rreth 72 vjeçe (ajo asnjëherë nuk e ka treguar moshën e saj). Libri i saj titullohet "Dashuria do të më shfajësojë". Lideri u dashurua marrëzisht pas saj, atëherë kur ajo ishte një nxënëse bukuroshe që studionte për Filozofi. I kërkoi të martoheshin, por Isabel nuk pranoi. "Çe Gevara, revolucionari i madh, ishte kundër lidhjes sonë, sepse thoshte që shpërqendroja Fidelin dhe vija në rrezik revolucionin", kujton Isabel. Për atë histori të fshehtë dashurie ajo nuk ka folur kurrë më parë, prandaj ka vendosur ta tregojë të gjithën.

Jemi në vitin 1956, Fidel është 30 vjeç, nuk ka mjekër dhe sapo është ndarë nga gruaja e parë, e padurueshmja Mirta Diaz Balart. Prej një viti po përgatit nga Meksika zbarkimin për në Kubë, ku ishte arratisur për shkak të amnistisë së lëshuar nga diktatori Batista, pas dënimit për sulmin e dështuar ndaj kazermës Monkada. Bashkë me të është edhe vëllai Raul dhe luftëtari mitik argjentinas Ernest Çe Gevara. Isabel, vajza e një çifti emigrantësh spanjollë të arratisur nga diktatura e Frankos, frekuentonte ambientet e të dëbuarve me forcë si nga atdheu, ashtu edhe nga Kuba, e nga ku i ati ishte përjashtuar për bindjet e tij politike të majta.

Isabel, 19 vjeçe, bionde, me sy të mëdhenj kafe, një trup me linja të rregullta dhe që vishte gjithmonë rroba të modës (i ati ishte drejtori i kompanisë kombëtare të teatrit klasik), njihet me komandantin krejt rastësisht, në një shërbim fotografik për Boheminë, në atë kohë revista e vetme e së majtës në Amerikën Latine. "Një mik fotograf, një kuban me origjinë spanjolle, Nestor Almendros, më kërkoi ta shoqëroja për t‘i bërë disa foto një grupi kubanësh, që sapo i kishin arrestuar. E vura re menjëherë, ishte më i gjati, por nuk e fiksova, ndërsa komandanti po", kujton Isabel.

Pas disa minutash Almendros e thirri dhe i tha: "Një kuban ka pyetur për ty. Quhet Fidel dhe është shprehur se dëshiron të martoheni". Fidel nuk humbi kohë dhe pas disa ditësh trokiti në derën e studentes. Ishte dashuri me shikim të parë. "Kastro ishte një idealist që luftonte për të arritur qëllimin e tij me hir dhe personalitet të madh. Ishte shumë bukurosh. Unë isha e preferuara e tij. Për fat të keq në atë moment ai ishte vetëm një burrë me të cilin ndaja bindjet e mia", shkruan ajo.

Isabel, kundër prindërve, merr pjesë në stërvitjet ushtarake të Barbudos dhe i fsheh armët në shtëpinë e saj. Ajo gjurmohet nga CIA dhe shërbimet sekrete të Batistës. Problemet mes çiftit filluan të shfaqeshin vetëm kur ata merrnin pjesë në festat e borgjezisë përparimtare meksikane. Meksikanët nuk laheshin dhe Isabel i dha ultimatum Kastros: "Ose dushin, ose mua", dhe komandanti ia plotësoi dëshirën.

Zënkat me Çe Gevarën ishin të vazhdueshme: "Për të mirën e revolucionit, lëre të qetë" i ulëriste ai Isabelës me një ton ofendues. Por ajo nuk dorëzohej. "Ishte diçka e tmerrshme, jetonim bashkë 24 orë në 24. Flinim pak dhe gjendeshim gjithmonë në lëvizje. Një periudhë shumë e ngarkuar ajo. Mendoj se karshi tij tërheqja fizike ishte dytësore. Ajo që më magjepsi vërtet ishte oratoria, fillimisht më bëri për vete me trurin e tij. Natyrisht që ishte dhe shumë tërheqës, bukurosh e njëkohësisht i zgjuar".

Rreziqet e shtonin edhe më shumë pasionin. CIA dhe spiunët e Batistës qëndronin gjithnjë pas çiftit, deri sa një ditë Isabel u sekuestrua teksa ecte në rrugë. Për tri ditë me radhë u drogua dhe u izolua në një vend të fshehtë. Fidel arriti ta lironte, edhe pse Çe Gevara dhe i vëllai Raul ishin kundër. Çe Gevara e urrente Isabelën dhe kur shihte se komandanti tërhiqej edhe më shumë prej saj, përsëriste këto fjalë: "Një lider nuk mund të trulloset pas një vajze, të gjithë kohën duhet t‘ia kushtojë detyrës, jo dashuriçkave". Por Fidel nuk ia vinte veshin dhe gjatë një feste i kërkoi dorën spanjolles së vogël para shokëve revolucionarë.

Në atë çast diçka ndryshoi. Isabel, pasi ishte përgjigjur po, u mendua sërish. "Nuk do ta them kurrë përse-në", thotë ajo tani. Fidel, i prekur në sedër, u betua se nuk do të dashurohej më kurrë. Por pas shumë vitesh heshtjeje, Isabel thotë me shumë siguri se "ishte një dashuri e madhe". Kushedi ndoshta ka qenë kështu edhe për Fidelin dhe se në moshën 82-vjeçare lideri mendon ende për të kur dëgjon notat e këngës: "La española, cuando besa, es que besa de verdad".

Dy gra, tetë fëmijë, shumë të dashura

Jeta sentimentale e mjekroshit

Lideri meksikan ka pasur një jetë të paqëndrueshme edhe nga ana sentimentale. Gruaja e parë e Fidel Kastros ishte Mirta Diaz-Balart, me të cilën u martua më 11 tetor 1948. Në atë kohë të dy të dashuruarit ishin 22 vjeç. Me Mirta Kastron pati një fëmijë, Fidel Angel Kastro Diaz-Balart, që ndryshe quhej Fidelito. Fidel dhe Mirta u divorcuan më 1955-ën. Më pas ajo u martua me Emilio Nunez Blanko. Fidelito u rrit në Kubë dhe për një periudhë të caktuar, para se të pushohej nga i ati, ishte në krye të Komisionit për Energjinë Atomike. Pak kohë pas divorcit, Kastro njohu Natalian "Nati" Revuelta. Nga lidhja e tyre lindi, më 3 mars të 1956-ës, Alina Fernández-Revuelta, e cila më vonë do të bëhej ylli radiofonik i të dëbuarve në Majami dhe autorja e një libri të dhimbshëm kujtimesh mbi të dhe të atin. Më e turbullt do të jetë figura e Jorge Angel Kastro, lindur në mes të viteve ‘50 nga një lidhje tjetër me një grua të panjohur, Maria Laborde, ose Amparo.

Vetëm dy vjet pas triumfit revolucionar, më 1961-shin, Fidel Kastro gjeti një lloj qëndrueshmërie me Dalia Soto del Valle, një vajzë 20-vjeçare nga Trinidadi. Dalia i dha pesë fëmijë: Alexis, një programues informatike, Alexander, inxhinier informatik, Alejandro Kastro, edhe ky programues informatike, Antonio, kirurg ortoped, dhe i fundit Angel, lindur më 1975-ën dhe i diplomuar në Mjekësi. Dalia dhe Fideli u martuan në fshehtësi të plotë, vetëm në vitin 1981.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›