E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishel Platini, 24 orët e tij në Shqipëri

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, zbardh vizitën 24-orëshe në Shqipëri. Kreu i institucionit që drejton futbollin kontinental do të mbërrijë sot rreth mesditës në vendin tonë dhe në axhendë janë parashikuar takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, dhe ministrin e Sporteve, Ylli Pangon. Ai do të bisedojë edhe me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që ka planifikuar të qëndrojë vetëm një orë në Asamblenë e Përgjithshme që do të zhvillohet nesër (më datë 12 nëntor).

Platini mbërrin në aeroportin "Nënë Tereza" në orën 11:50 dhe pas akomodimit të shpejtë në hotel ai do të drejtohet në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), ku do të takohet me titullarin e këtij institucioni, Ylli Pangon. Në bisedën e parashikuar që të fillojë në orën 14:00, ku pritet të flitet më së shumti për problemet dhe ndihmën që kjo ministri duhet të japë për sportin (e futbollin në veçanti), drejtuesi më i lartë i zyrave të Nionit në Zvicër do të shoqërohet edhe nga krerët e FSHF-së. Dy orë më vonë, Platini do të udhëtojë drejt Durrësit për të inauguruar fushën e re në stadiumin "Niko Dovana". Së bashku me delegacionin që e shoqëron, njëshi i futbollit evropian do të presë shiritin për rikonstruktimin e impiantit financiar nga projekti "HatTrick" i UEFA-s. Në orën 18:00 është parashikuar të zhvillohet ai që mund të cilësohet si takimi më i rëndësishëm i ish-legjendës së futbollit francez në vendin tonë. Nga qyteti bregdetar, Platini do të udhëtojë përsëri drejt Tiranës, këtë herë për t‘u takuar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. I shoqëruar nga delegacioni i ardhur nga Zvicra dhe drejtuesit e sportit të top-këmbës në vend, presidenti i UEFA-s është i ftuar në zyrën e kreut të shtetit, i cili kishte një rol thelbësor në zgjidhjen e konfliktit FSHF-Qeveri dhe në heqjen e pezullimit të Shqipërisë nga arena ndërkombëtare më 29 prill të këtij viti. Dita e parë e vizitës së parë në vendin tonë si drejtues i lartë i "qeverisë" evropiane mbyllet me darkën zyrtare me drejtuesit e federatës.

Nesër (të mërkurën), në orën 09:00, Mishel Platini do të mbajë fjalën hapëse në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, që do të zhvillohet në Tiranë. Përshëndetja përpara përfaqësuesve të të gjitha klubeve shqiptare është impenjimi i fundit i presidentit të UEFA-s, që afro 60 minuta më pas do të niset drejt aeroportit të Rinasit, duke i dhënë fund vizitës në vendin tonë. Kjo është vizita e pestë e Platinit në Shqipëri, ndërkohë që e fundit daton më 8 nëntor 2006, për të marrë pjesë në inaugurimin e fushës së futbollit të shkollës "Hasan Vogli" në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›