Spark: Plani nuk e cënon Kosovën

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Andy Sparkes, deklaron se plani gjashtëpikësh i Kombeve të Bashkuara nuk e cënon pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Në një intervistë për BBC-në, ai thekson se plani përmban disa garanci për komunitetin serb dhe në këtë mënyrë siguron shtrirjen e misionit europian, EULEX, në tërë Kosovën. Plani i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së pritet të diskutohet të mërkurën në seancën e Këshillin e Sigurimit, në të cilën do t'i hapet rruga edhe funksionalizimit të misionit të BE-së në fillim të muajit dhjetor, duke mbajtur qëndrim të paanshëm ndaj statusit të Kosovës. Sparkes thotë se EULEX-i do të zbatojë një sistem ligjor në mbarë territorin e Kosovës. Sipas tij, substanca e ligjeve që do të zbatohen nga misioni europian do të jetë e njëjtë, ndërsa terminologjia mund të ndryshojë. Sparkes përjashton mundësinë që plani gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të rrezikojë ndarjen e vendit. "Britania si mike e Kosovës nuk do ta pranonte këtë document, nëse do të rrezikohej ndarja e Kosovës", shprehet Sparkes. Kreu i misionit diplomatik të Britanisë në Prishtinë, Andy Sparkes thotë se plani është i përkohshëm dhe për zbatimin e tij do të konsultohen në vazhdimësi autoritetet e Kosovës.