Prishtina: KS mos miratojë 6-pikëshin

Kryeministri Hashim Thaçi i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me zotimin e tij dhe të presidentit Sejdiu, se plani 6-pikësh i Ban Ki Moonit nuk do të mund të zbatohet në Kosovë.Kosova vazhdon ta kundërshtojë planin prej gjashtë pikave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, të harmonizuar me Beogradin, i cili parasheh një formë të re të shtrirjes së EULEX-it, krahasuar me pakon e Ahtisaarit.Ky plan, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, pritet të përfshihet në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit.
Andaj, në një fjalim para Parlamentit, kryeministri Thaçi e ka kundërshtuar sërish këtë plan, duke e cilësuar atë të papranueshëm në tërësi.
Ky qëndrim, tha Thaçi, është pozicioni i tij dhe i presidentit të Kosovës, për t'i bërë me dije edhe një herë Këshillit të Sigurimit dhe sekretarit Ban Ki Moon, se statusi i Kosovës është zgjidhur dhe nuk do të ketë kthim prapa, siç parasheh plani gjashtëpikësh.